SHBA i vjen në ndihmë Venezuelës, pezullohen sanksionet

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht sanksionet ndaj Venezuelës për të lehtësuar operacionet e ndihmës në zonat e goditura nga tërmeti.

Konkretisht, Uashingtoni ka autorizuar kryerjen e transaksioneve drejt Venezuelës, të cilat zakonisht ndalohen nga sanksionet, me kusht që ato të lidhen me “operacionet e ndihmës humanitare”.

Departamenti i Thesarit i SHBA-ve ka lëshuar një urdhër që lejon këto transaksione deri më 23 tetor 2026.

Që nga arrestimi i ish-presidentit Nicolás Maduro në janar të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar vetëm një numër të kufizuar autorizimesh dhe licencash për shfrytëzimin dhe tregtimin e naftës, në bashkëpunim me presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez. Ky veprim përfaqëson një lehtësim të pjesshëm të regjimit të sanksioneve ndaj Venezuelës.

Bilanci i tërmetit shkatërrues që goditi Venezuelën po rëndohet nga ora në orë. Numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 235, të plagosurit janë mbi 4.300, ndërsa më shumë se 42 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë mes rrënojave në Karakas dhe në La Guaira, një nga zonat më të goditura.

Dy lëkundje me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën vendin gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, me vetëm 40 sekonda diferencë nga njëra-tjetra.