Banorët e Sukthi në protestë: Rruga 30 vite pa ndërhyrje, na rrezikohet jeta

Në rrugët që lidhin fshatrat e qarkut të Durrësit, kryesisht në zonat turistike të Sukthit, banorët denoncojnë mungesën e theksuar të sinjalistikës rrugore, mungesën e trotuareve dhe ndriçimit në disa segmente problematike.

Sipas tyre, këto kushte kanë bërë që lëvizja në këtë aks rrugor të jetë e rrezikshme dhe shpesh të përfundojë me aksidente, disa prej të cilave me pasoja të rënda.

Banorët e Sukthit dhe rrethinave janë ngritur në protestë, duke theksuar se mungesa e ndriçimit publik dhe shpejtësia e lartë e automjeteve e bëjnë rrugën veçanërisht të rrezikshme, sidomos gjatë orëve të natës.

“Prej gati 30 vitesh nuk është ndërhyrë seriozisht në këtë rrugë. Vetëm në periudha zgjedhjesh premtohet rregullimi i saj, por deri tani nuk është bërë asgjë. Nuk ka ndriçim, mungojnë trotuaret dhe fëmijët rrezikohen çdo ditë nga makinat,” shprehen banorët.

Ata thonë se mungesa e infrastrukturës dhe shpejtësia e lartë e mjeteve kanë shkaktuar edhe viktima ndër vite, duke e bërë situatën edhe më alarmante.

Banorët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa nga autoritetet, protestat do të vazhdojnë dhe nuk përjashtohet as bllokimi i mëtejshëm i rrugës.