Uji mund të jetë një përzierje e dy lëngjeve të ndryshme

Për dekada me radhë, shkencëtarët kanë dyshuar se uji, në nivel molekular, sillet si dy lëngje të ndryshme: një më i dendur dhe një më pak i dendur, që kalojnë vazhdimisht nga një gjendje në tjetrën. Tani, me ndihmën e inteligjencës artificiale, studiuesit thonë se kanë gjetur provat më të forta deri më sot për këtë teori.

Studimi, i publikuar në revistën Nature Physics, sugjeron se kjo veçori mund të shpjegojë shumë nga sjelljet e pazakonta të ujit.

Ndryshe nga shumica e lëngjeve, uji bëhet më i dendur ndërsa ftohet deri në rreth 4 gradë Celsius, por më pas fillon të zgjerohet, gjë që shpjegon pse akulli noton mbi sipërfaqe. Uji gjithashtu i reziston më mirë ndryshimeve të temperaturës dhe shfaq karakteristika të tjera të pazakonta që prej kohësh kanë intriguar shkencëtarët.

Fizikani Xiao Cheng Zeng nga Universiteti i Qytetit të Hong Kongut dhe ekipi i tij përdorën inteligjencën artificiale për të analizuar miliona të dhëna të krijuara nga simulime kompjuterike të qindra mijëra molekulave të ujit.

Në vend që t’i tregonin sistemit se çfarë të kërkonte, studiuesit përdorën një metodë të quajtur “mësim i thellë i pambikëqyrur”, duke lejuar inteligjencën artificiale të zbulonte vetë modelet e fshehura.

Rezultatet treguan se molekulat e ujit kalojnë mes dy strukturave të ndryshme lokale. Në shumicën e rasteve ky kalim ndodh përmes një rruge të thjeshtë energjetike, por pranë pikave kritike mund të ndjekë rrugë më komplekse.

Shkencëtarët besojnë se zbulimi mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të vetive të ujit dhe të proceseve biologjike e farmaceutike që zhvillohen në të. Megjithatë, nevojiten eksperimente të mëtejshme për të konfirmuar përfundimisht këto rezultate.

Nëse teoria vërtetohet, ajo mund të ofrojë një shpjegim të unifikuar për shumë nga misteret që uji ka paraqitur për shkencën prej dekadash. /LiveScience – Syri.net