GJKKO liron nga arresti i shtëpisë një nga drejtorët e 5D
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e ish-drejtorit të Bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha, duke i zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitjeje” në kuadër të dosjes së njohur si “5D”.
Për Tushën, Apeli i Posaçëm kishte vendosur në janar të këtij viti lirimin nga paraburgimi dhe caktimin e masës “arrest në shtëpi”.
Në të njëjtin proces gjyqësor janë të pandehur edhe ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla, së bashku me administratorë dhe punonjës të kompanisë “5D Konstruksion”.
Ish-drejtuesit e bashkisë u arrestuan në mars të vitit 2024 me urdhër të SPAK. Sipas organit të akuzës, Mariglen Qato dhe Redi Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D Konstruksion”, e njohur edhe me emrat “Igor Electric” dhe “Vas Construction”, e cila rezultoi fituese në 11 procedura prokurimi të zhvilluara nga Bashkia e Tiranës në periudhën 2016–2022, kohë kur ata ushtronin funksione drejtuese në institucion.
Sipas SPAK, Taulant Tusha, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), së bashku me Enton Punavijan, Julian Zanajn dhe Albanon Jankun, kanë favorizuar kompaninë “5D Konstruksion” në tre procedura tenderimi të Bashkisë së Tiranës. Prokuroria pretendon se të pandehurit i krijuan kompanisë avantazhe dhe privilegje të padrejta ndaj operatorëve të tjerë ekonomikë, duke e shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Më 17 qershor, GJKKO dënoi me një total prej katër vitesh burg pesë të pandehur për një prej fraksioneve të dosjes “5D”. Ndërkohë, në maj të këtij viti, Taulant Tusha u dënua për dosjen e inceneratorit të Tiranës me tre vite burg, dënim që u ul në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, si edhe me pesë vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike. Masa e sigurisë ndaj tij u konsiderua e shuar për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.
Në fraksionin që lidhet me tenderin e “Tirana Parking”, GJKKO dënoi me një vit burg Eglantina Zeren, e cila sipas akuzës, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me Enkelejda Qytën, Bruno Koçin, Rivjola Baxhën dhe Kristo Zhulatin, favorizoi kompaninë “5D Konstruksion” në tenderin për rikonstruksionin e sheshit të parkimit pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në tetor 2019.
Një vit më parë, edhe Redi Molla u lirua nga paraburgimi me vendim të Apelit për shkak të problemeve shëndetësore.
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar gjithsej 20 vite burg për shtatë të pandehurit që vijojnë të gjykohen në këtë dosje. Për Redi Mollën është kërkuar një dënim total prej 11 vitesh burg për shtatë episode korrupsioni, pesë raste të mosdeklarimit të pasurisë dhe pastrim parash. Për Mariglen Qaton janë kërkuar nëntë vite burg për korrupsion pasiv në katër raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për pesë vite për Mollën dhe Qaton, si dhe për katër vite për Taulant Tushën.