Arkitektët e patronazhuar dhe libri i ‘kuq’ që sugjeron Ramën mbret dhe asgjesimin e zgjedhjeve

Një letër e botuar në librin ‘The Albania Files’ ngre pikëpyetje që shkojnë shumë përtej arkitekturës.

Në këtë letër, një prej arkitektëve më të njohur ndërkombëtarë, Reinier de Graaf, i drejtohet kryeministrit Edi Rama duke shprehur shqetësimin se ndryshimi i pushtetit mund t'i japë fund "epokës së artë" të arkitekturës në Shqipëri.

Në shqetësimet e tij ‘madhore’ personale, ai shkruan se zgjedhjet do të ishte "më mirë të anuloheshin" dhe se, pas një mandati të pestë, Rama mund të vazhdonte si "president i përjetshëm – ndoshta edhe mbret".

Këto nuk janë komente të bëra në një bisedë private, as një shkrim anonim në rrjetet sociale. Janë pjesë e një botimi prestigjioz kushtuar transformimit urban të Shqipërisë, një libër që mban edhe parathënien e vetë kryeministrit Edi Rama.

Fakti që e bën të rëndë për shqiptarët këtë rast është se letra nuk mbeti një korrespondencë personale, por u përfshi në një publikim zyrtar pa asnjë distancim apo shpjegim ndaj përmbajtjes së saj.

Nga këto të dhëna kuptojmë mënyrën kriminale se si është ‘zhvilluar’ Shqipëria nën drejtimi ne Edi Ramës dhe çfarë marrëdhënieje është krijuar mes pushtetit politik dhe elitës ndërkombëtare të arkitekturës, kur profesionistë që nuk kanë asnjë mandat demokratik në Shqipëri i drejtohen kryeministrit si patroni politik i profesionit të tyre dhe e paraqesin vazhdimësinë e tij në pushtet si kusht për mbijetesën e arkitekturës.

Kur një libër që dokumenton qindra projekte arkitekturore në Shqipëri përfshin një apel për anulimin e zgjedhjeve dhe vazhdimin e pushtetit të një lideri "si mbret", çështja nuk është më vetëm arkitektura.

Është mënyra se si konceptohet raporti mes pushtetit, interesit profesional dhe demokracisë.

Letra e publikuar në Albania Files/ Nga arkitekti Reinier de Graaf

Një letër e hapur drejtuar Edi Ramës

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë

Roterdam, 3 mars 2025

I nderuar Shkëlqesi / i dashur Edi,

Të lutem më fal që po të drejtohem në këtë formë. Mund të mos më kujtosh; jemi takuar vetëm një herë dhe unë jam vetëm një nga shumë arkitektët e huaj që punojnë aktualisht në vendin tënd. Po të shkruaj për të shprehur mirënjohjen time për mundësinë që kam pasur të punoj në Shqipëri, si edhe admirimin tim më të gjerë për gjithçka që ke arritur që kur u bëre kryeministër pak më shumë se një dekadë më parë.

Nën qeverisjen tënde, Shqipëria ka fituar pothuajse statusin e një modeli. Grupe të shumta fetare dhe etnike jetojnë paqësisht së bashku; ekziston një ndarje efektive mes shtetit dhe fesë; një popullsi e re dhe në moshë pune e mban ekonominë në lëvizje; pjesëmarrja e grave në tregun e punës është e lartë dhe në rritje të vazhdueshme; Shqipëria po kërkon aktivisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe, për të mos harruar, ka një shije të shkëlqyer në arkitekturë.

Në një botë të trazuar, Shqipëria po fillon të duket si një përjashtim shpresëdhënës: bashkëpunim ndërkombëtar, vlera progresiste dhe, ndoshta më e rëndësishmja, mbështetje për arsyen – një fener i qytetërimit përballë sfidave.

Megjithatë, qëllimi i kësaj letre shkon përtej lavdërimeve. Po të shkruaj sepse jam i shqetësuar. Në këtë moment, partia jote po synon një mandat të katërt radhazi. Mund të shpresoj vetëm që ta arrijë. Është e vështirë të imagjinohet një qeveri e re që do të kujdeset për arkitektët po aq sa qeveria aktuale.

Profesioni ynë historikisht ka qenë i varur nga mbështetja politike dhe kohët e fundit më kanë kaluar nëpër mend disa mendime të zymta. Çfarë do të ndodhë nëse socialistët nuk i fitojnë zgjedhjet? A do të marrë fund papritur kjo Mekë e arkitekturës bashkëkohore? A do të thahet papritur ky burim i pashtershëm pune? A mundet që ArchArmy të dorëzojë armët, ashtu siç u mobilizua?

Nuk e them këtë lehtë, por për ne arkitektët do të ishte më mirë sikur zgjedhjet e ardhshme thjesht të anuloheshin. Madje do të shkoja edhe një hap më tej. Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një mbrojtëse e ndritur e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte më zgjedhje. Dhe nëse ti, pas mandatit të pestë radhazi si kryeministër, do të vazhdoje thjesht si president i përjetshëm – ndoshta edhe si mbret.

Ngjarje të mëdha historike po zhvillohen ndërsa flasim. Autokracia po fiton me shpejtësi terren si forma përfundimtare e qeverisjes së shekullit XXI. Shpresat për një alternativë produktive po shkatërrohen dita-ditës. Duket se po dëshmojmë fundin e "Fundit të Historisë". Në atë kontekst, lutja ime është sa e thjeshtë, aq edhe e drejtpërdrejtë: në një botë autokracish, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës dhe me shije?

E di që ajo që po kërkoj nuk është një sakrificë e vogël, por është diçka me rëndësi të jashtëzakonshme. Shpresoj që ta marrësh në konsideratë.

Me respekt,

Reinier de Graaf