VIDEO/ Suedia kualifikohet edhe me një barazim ndaj Japonisë, ‘niponët’ i pret Brazili në 1/16-at

Japonia dhe Suedia kanë siguruar kalimin në fazën e 1/16 të finales në Botërorin 2026, pasi barazuan 1-1 në Dallas, rezultat që u mjaftoi të dyja skuadrave për të vazhduar rrugëtimin në turne. Skuadra nordike vijon më tej si një ndër vendet e tret më të mira, ndërsa Japonia siguroi vendin e dytë.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me Japoninë që pati më shumë iniciativë, por pa arritur të zhbllokonte rezultatin. Rasti më i mirë erdhi në fundin e fraksionit të parë, kur Jacob Widell Zetterström priti në mënyrë spektakolare goditjen e Keito Nakamurës. Ndërkohë, Suedia mori një goditje të rëndë me dëmtimin e mbrojtësit Isak Hien, i cili u zëvendësua para pushimit.

Japoni – Suedi 1-0

Epërsia e Japonisë erdhi në minutën e 56-të. Ritsu Dōan dha një asist të shkëlqyer për Daizen Maedën, i cili shënoi për 1-0.

Megjithatë, avantazhi zgjati vetëm pak minuta, pasi Anthony Elanga barazoi me një goditje të bukur nga jashtë zonës, duke realizuar për ndeshjen e dytë radhazi.

Japoni – Suedi 1-1

Në minutat e mbetura të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, por portieri Zion Suzuki bëri disa pritje vendimtare ndaj Alexander Isakut dhe Elangës, ndërsa Koki Ogawa humbi një mundësi të artë për Japoninë.

Me këtë barazim, Japonia avancon dhe në fazën e 1/16 do të përballet me Brazilin, ndërsa Suedia pret të mësojë kundërshtarin e saj të radhës.