SYRI TV/ Divjakë, fermerët kultivues të shalqinit në Divjakë këtë vit nuk kanë siguruar asnjë fitim

Fermerët kultivues të shalqinit në Divjakë këtë vit nuk kanë siguruar asnjë fitim. Ata ankohen për mungesë tregu, ndërsa çmimi i shitjes së shalqinit ka pësuar rënie të ndjeshme. Sipas tyre situata është alarmante edhe për prodhimin që ka mbetur në fusha, pasi për shkak të temperaturave të larta po kalon në tej pjekje dhe nuk vlen më për treg.

Syri TV

Fermerët që kultivojnë shalqinin në Divjakë këtë vit nuk kanë siguruar asnjë fitim. 850 hektarë të mbjella me kulturën e shalqinit në këtë zonë janë furnizuesit kryesorë të tregut vendas dhe rajonal, por teksa prej disa ditësh ka arritur kulmi i prodhimit, çmimi i shitjes së shalqinit ka rënë ndjeshëm. Prej 3 ditësh fermerët dergjen në treg pa arritur të shesin asnjë kilogram. Sipas tyre situata është më alarmante për prodhimin që ka mbetur nëpër fusha, pasi për shkak të temperaturave të larta po kalon në tej pjekje dhe nuk vlen më për treg.

Mbi 34 pika grumbullimi tërheqin sasi tepër të vogla ose kanë mbyllur dyert. Sipas fermerëve kompanitë eksportuese të rajonit dhe më gjerë, kanë gjetur tregje jashtë Shqipërisë, ku kostot e prodhimit dhe për rrjedhojë edhe çmimi është më i ulët sesa në Divjakë.

Kjo dukuri negative pritet të thellohet edhe më shumë pasi janë dhe dy zona të tjera mjaft të mëdha që mbjellin mbi 500 hektarë, si zona e Imshtës dhe Tërbufit që kanë nisur të hedhin në treg sasitë e para të shalqinit, në një kohë ku mijëra tonë mbeten ende në fushat e Divjakës.