‘Rama, krushqi me krimin, kriminalizoi ekonominë dhe politikën’, Malaj: S’ka transparencë për investimet

I ftuar në ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv, ish ministri socialist i Financave, Arben Malaj nuk ngurroi të akuzojë hapur kryesocialistin Edi Rama njëkohësisht kryeministrin e vendit për lidhje me krimin, duke shkuar më tej madje, aq sa sipas tij, kriminalizoi ekonominë dhe politikën.

Me fokus edhe në protestat masive të qytetarëve për Zvërnecin, Malaj tha se qeveria nuk ka bërë asnjë transparencë në lidhje me investimet.

Ai u ndal edhe tek incidenti me djegien e një flamuri, për të cilën u bënë përpjekje diplomatike që ta etiketojnë lëvizjen si një nxitje e ndjenjave kundër hebrenjve, sipas ish zyrtarit socialist, kjo narrativë hidhet poshtë menjëherë nga faktet historike, të cilat dëshmojnë se shqiptarët kanë qenë një strehë e sigurt për hebrenjtë që nga viti 1442 dhe veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përtej këtyre incidenteve, thelbi i krizës, theksoi Malaj, mbetet asgjësimi i përfaqësimit politik.

"Janë protestat që ne si shqiptarë duhet të jemi shumë mirënjohës, të gjithë si mirënjohës, sepse ishte krijuar edhe tek ne vetë ideja që ne nuk përballemi dot me neodiktaturat. Dhe ishte krijuar ideja që populli shqiptar, për mos thënë kombi shqiptar, nuk reagon, nuk proteston, vetë pranon të jetë i nënshtruar. Këto protesta ose gjëja më fisnike e kësaj proteste është pikërisht se e hodhi poshtë këtë mit që ishte ndërtuar për shqiptarët në raport me të drejtat e tyre.

E dyta lidhur me lojën politike të Ramës unë kam shkruar shumë. Ai mendon se duke tërhequr Trumpin, presidentin Trump në këtë debat do ta fitojë sfidën me shqiptarët. Por siç e keni vënë re presidenti Trump është një president që bën debat me çdo njeri dhe edhe pse është provokuar gjithë kaq kohë nga media e të tjera, madje deri në debat me senatorë, demokratë, ai nuk ka shtuar asnjë fjalë për këtë projekt. Pra ai e kupton mirë që duan ta tërheqin në një fushë minuese aq më tepër që priten dhe vlerësimet e ndërmjetme.

Nuk është njeri kundër... Kushnerit apo Ivankës, po edhe po të jetë nuk ka asnjë gjë të keqe. Ne nuk po i shpallim ata 'non grata'. Ne po i themi siç e tha dhe ambasada amerikane, hajdeni në Shqipëri, investoni, Shqipëria duhet të ketë siguri juridike, Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin dhe kompanitë amerikane duhet të vijnë ndërmjet një gare. Ne ndodhemi në modelin ekonomik të Ramës të ndarë ose të bashkëndarë me oligarkët që ka prodhuar vetë, që Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shtrenjtë dhe shqiptarët po bëhen gjithnjë e më të varfër, sidomos në sektorin e pasurive të patundshme.

Kështu që në këtë aspekt edhe provokimi... unë nuk kisha problem të ballafaqohesha me ambasadoren e Izraelit në rrjetet sociale, edhe ajo, provokimi që është protestë kundër Izraelit, po nxit ndjenjat kundër hebrenjve apo të tjera, janë të gjitha tentativa për ta zhvlerësuar protestën. Sepse një ambasadore që unë e respektoj shumë, nuk mund të thotë se meqë u dogj një flamur nga ambasada për disa orë siç ndodh në protesta kudo në botë, nuk mund të thotë që kjo turpëron shqiptarët.

Shqiptarët e kanë treguar që në vitin 1442 kur hebrenjtë mbërritën në Vlorë dhe tre portet e Vlorës, e kanë treguar në Luftën e Dytë Botërore dhe e kanë treguar gjithmonë që i kanë qenë në krah hebrenjve në sfidat e vështira që ata kanë kaluar. Kështu që nuk mundet një ambasador të mbajë një qëndrim dhe të nxisë një popull që 'shiko ju u bë një incident edhe ju po turpëroheni'.

Po unë mendoj, ne e bëjmë një gabim bashkë, që ky debat nuk është thjesht dhe vetëm për Partinë Socialiste po është për politikën shqiptare. Unë jam plotësisht dakord me të gjitha vërejtjet që i bëhen Ramës dhe jam më agresivi në argumentimin tim pro, domethënë, se Rama bëri një gjë që s'ka ndodhur kurrë më parë në politikë, që bëri krushqi me krimin dhe kriminalizoi një pjesë të ekonomisë dhe të politikës.

Rrënjët e kësaj që po shikojmë sot ishte krushqia, masivisht e të gjithëve që bëjnë oligarkë të dy palëve... e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008 kur partitë politike humbën statusin si organizime vullnetare dhe me elementë të detyrueshëm kushtetues të lirisë së mendimit, të mendimit të lirë, të konkurrencës"