Messi sfidon kohën, 18 golat e tij në Botëror tregojnë evolucionin e një legjende
Në moshën 39-vjeçare, Lionel Mesi vazhdon të sfidojë çdo kufi të jetëgjatësisë në futboll. ‘Ylli’ i Argjentinës po shkëlqen edhe në Kupën e Botës 2026, ku pas tregolëshit ndaj Algjerisë dhe ‘dopietës’ kundër Austrisë, është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve me 18 gola.
Ky rekord është edhe më i jashtëzakonshëm po të merret parasysh rruga e gjatë që ka ndjekur Mesi për ta arritur. Kur nisi Botërori i Katarit në vitin 2022, ai kishte shënuar vetëm gjashtë gola në këtë kompeticion, pavarësisht se kishte tentuar plot 73 herë drejt portës. Madje, në Botërorin e vitit 2010 ai nuk arriti të realizonte asnjë gol, edhe pse regjistroi 30 goditje.
Para vitit 2022, mesatarja e Mesit ishte një gol për çdo 12 tentativa. Megjithatë, në katër vitet e fundit efikasiteti i tij është rritur ndjeshëm. Që nga Botërori i Katarit, kapiteni argjentinas ka realizuar 12 gola nga vetëm 45 goditje, që do të thotë se i duhen më pak se katër tentativa për të gjetur rrugën e rrjetës.
Ky transformim tregon edhe evolucionin e lojës së tij. Në vitet e para, Mesi mbështetej kryesisht te shpërthimi, driblimet dhe shpejtësia. Sot, ai kompenson moshën me inteligjencën taktike, pozicionimin perfekt dhe aftësinë për të lexuar lojën më mirë se kushdo tjetër.
Pavarësisht ndryshimeve në stilin e tij, disa cilësi kanë mbetur të pandryshuara: teknika e jashtëzakonshme, kontrolli i topit dhe instinkti për të qenë vendimtar në momentet më të rëndësishme. Pikërisht këto armë e kanë shndërruar Mesin në një ikonë të futbollit botëror dhe në golashënuesin më të mirë në historinë e Kupës së Botës.