Rama në panik dhe i frikësuar nga protestat, s'ndal hetimet për drejtuesit e reagimit qytetar
I gjendur përballë protestave masive të qytetarëve shqiptare që vijojnë prej tashmë 26 ditësh, Rama ka urdhëruar policinë që të hetojë drejtuesit e marshimeve në Tiranë.
Policia informon se ka proceduar penalisht 11 shtetas duke i akuzuar për veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.
Sipas njoftimit personat e proceduar penalisht janë ata që kanë orientuar dhe zhvilluar tubimet në datat 22 dhe 23 qershor 2026.
Rama i frikësuar nga reagimi masiv qytetar po angazhon strukturat e policisë për të trembur protestuesit dhe për të përçarë protestën qytetare.
Njoftimi i policise
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në lidhje me tubimet e zhvilluara më datat 22 dhe 23 qershor 2026, në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 11 shtetas, të dyshuar të përfshirë në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.
Konkretisht, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit: D. G., 50 vjeç, I. D., 55 vjeç, E. E., 32 vjeç, E. B., 29 vjeç, V. D., 30 vjeç, E. Z., 26 vjeç, Xh. P., 27 vjeç, B. K., 36 vjeç, D. B., 32 vjeç, Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme prej atyre të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në: kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”; kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës; si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve dhe qytetarëve, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.