‘GTA VI’ fansat të zhgënjyer pasi loja shitet vetëm si shkarkim digjital
Paraporositë për instalimin e radhës në serinë ‘Grand Theft Auto’ u hapën të enjten, pas më shumë se një dekade pritjeje, por për zhgënjimin e shumë fansave, ‘GTA VI’ do të vijë vetëm si shkarkim digjital.
Disqet fizike preferohen nga shumë lojtarë ndaj kodeve të shkarkimit digjital, pasi ato nënkuptojnë pronësi reale të lojës. Ndërkohë, versionet vetëm me shkarkim nuk mund të ndahen apo të shiten te lojtarë të tjerë.
Lojtarët dhe komentuesit e industrisë së videolojërave kanë kritikuar faktin se loja do të jetë e disponueshme vetëm në mënyrë digjitale, të paktën për momentin. Edhe blerësit që do të blejnë një kopje fizike do të gjejnë brenda vetëm një kod shkarkimi.
Rockstar po promovon shkarkimet digjitale si një avantazh ndaj disqeve fizike: “Lojtarët që bëjnë paraporosi të versioneve digjitale të ‘Grand Theft Auto VI’ do të mund të fillojnë parashkarkimin më 12 nëntor për t’u siguruar që mund të luajnë në momentin e lançimit.”
Megjithatë, shumë fansa në rrjetet sociale nuk janë të bindur, duke thënë se kjo lëvizje e Rockstar-it ka për qëllim të ndalojë lojtarët nga rishitja e lojës me çmime më të ulëta pasi e kanë përfunduar.
“Ky është thjesht një veprim për të ndalur shitjet e dorës së dytë dhe për të kontrolluar çmimin e lojës,” ka komentuar një përdorues në Reddit. “Duke të hequr mundësinë e ndikimit, je i detyruar të paguash çfarëdo që Rockstar dhe platformat e shitjes e konsiderojnë të arsyeshme,” ka komentuar faqja e argëtimit IGN.
Me çmime prej 80 dollarësh për edicionin standard dhe 100 dollarësh për edicionin premium, seria kult e lojës po vendos gjithashtu një standard të ri për çmimet premium të lojërave, duke e çuar çmimin mbi 70 dollarët që zakonisht janë kërkuar për titujt më të mëdhenj të viteve të fundit.
‘GTA VI’ fillimisht do të publikohet ekskluzivisht për konsolat PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S. Lojtarët në PC do të duhet të presin më gjatë. Një version multiplayer online i lojës pritet të publikohet më vonë - jo i përfshirë në çmimin fillestar.
Loja aksion pritet të lançohet më 19 nëntor, pas disa shtyrjeve, dhe niveli i interesit nga blerësit potencialë tashmë sugjeron se mund të bëhet një nga titujt më të suksesshëm në historinë e videolojërave.
Fansat kanë pasur një pritje të gjatë: titulli i mëparshëm në seri u publikua në vitin 2013.
Me një buxhet të vlerësuar prej mbi 1 miliard dollarësh, ‘GTA VI’ pritet të bëhet produkti më i shtrenjtë i argëtimit në histori. Paraardhësi i tij ka shitur më shumë se 200 milionë kopje që nga viti 2013.
‘Grand Theft Auto’ është një nga seritë më të njohura të videolojërave në botë dhe është publikuar për herë të parë në vitin 1997. ‘Grand Theft Auto VI’ është vendosur në një version fiktiv të qytetit amerikan të Majamit. Trailerët e publikuar deri tani paraqesin ndjekje me makina me shpejtësi të lartë, skafe të shpejta, plazhe, armë dhe krokodilë./ AA