Tërmetet në Venezuelë/ Numri i të zhdukurve i kaloi 20 mijë, 164 të vdekur! Gjendje e jashtëzakonshme

Ka kaluar shifrën 20 mijë numri i personave të zhdukur pas dy tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën. Sipas të dhënave të fundit, 23.773 persona janë denoncuar si të zhdukur, ndërsa autoritetet dhe familjarët po vijojnë përpjekjet për t’i gjetur, informon La Repubblica.

Për të ndihmuar në lokalizimin e qytetarëve për të cilët nuk ka asnjë informacion, është krijuar një platformë online e quajtur ‘Desaparecidos Terremoto Venezuela’, e cila është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, përfshirë edhe nga përfaqësues të opozitës venezueliane.

Përmes kësaj platforme, qytetarët mund të raportojnë personat e zhdukur duke plotësuar emrin e tyre, vendndodhjen ku ndodheshin në momentin e tërmetit dhe duke publikuar një fotografi.

Bilanci i katastrofës vazhdon të rëndohet, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë mes rrënojave në zonat më të prekura nga lëkundjet e fuqishme sizmike. Autoritetet druhen se numri i viktimave dhe i të zhdukurve mund të rritet edhe më tej në orët e ardhshme.

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas fatkeqësisë natyrore që tronditi vendin mbrëmjen e së mërkurës.

Sipas autoriteteve, tërmeti i parë kishte magnitudë 7.2, ndërsa vetëm 39 sekonda më vonë u regjistrua një tjetër lëkundje me magnitudë 7.5, e konsideruar si më e fuqishmja që ka goditur Venezuelën që nga viti 1900.

Epiqendra e tërmetit ndodhej pranë qytetit Morón, në bregdetin e Karaibeve, rreth 170 kilometra në perëndim të kryeqytetit Karakas. Deri tani janë regjistruar rreth 30 pasgoditje.

Dëmet më të mëdha raportohen në Karakas dhe zonat përreth. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë skena paniku në aeroportin ndërkombëtar Simón Bolívar International Airport, ku pasagjerët u detyruan të largoheshin me shpejtësi për t’u mbrojtur nga rrëzimi i mbetjeve të ndërtesave. Rodríguez njoftoi se aeroporti është mbyllur për shkak të dëmtimeve të rënda, ndërsa janë pezulluar edhe shërbimet e metrosë dhe trenave.

Deri tani numri i viktimave raportohet 164 persona.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet mes rrënojave në kryeqytetin Caracas dhe në shtetin La Guaira, zonat që kanë pësuar dëmet më të rënda nga katastrofa.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 100 ndërtesa janë shembur si pasojë e lëkundjeve të forta sizmike, duke lënë mijëra persona të pastrehë dhe duke vështirësuar operacionet e shpëtimit.

Venezuela gjendet në një zonë që është e prirë të përballet me tërmete dhe lëkundjet më të mëdha të tokës në historinë moderne të Venezuelës ndodhën në verilindje të vendit në vitin 1997, kur u vranë 73 persona dhe në Karakas më 1967, kur 236 persona humbën jetën.