Kina dhe Bangladeshi nënshkruajnë 13 marrëveshje për të rritur tregtinë dhe investimet
Bangladeshi dhe Kina nënshkruan të enjten 13 memorandume mirëkuptimi (MoU) që mbulojnë fusha të ndryshme të bashkëpunimit, tregtisë dhe investimeve, ndërsa kryeministrat e dy vendeve u takuan në Pekin.
Marrëveshjet u nënshkruan pas një takimi dypalësh mes kryeministrit të Bangladeshit, Tarique Rahman, dhe homologut të tij kinez, Li Qiang, në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, sipas një deklarate të publikuar në llogarinë zyrtare të kryeministrit bangladeshas në platformën sociale Facebook.
Sipas deklaratës, memorandumet do ta çojnë në një nivel të ri 'bashkëpunimin strategjik dhe ekonomik' mes dy vendeve. Ajo shton se dy liderët diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me 'marrëdhëniet dypalëshe Bangladesh-Kinë, tregtinë, investimet dhe bashkëpunimin e ndërsjellë'.
Kryeministri i Bangladeshit ndodhet në Kinë për një vizitë treditore, e para që pas ardhjes së tij në pushtet pas zgjedhjeve të shkurtit. Rahman do të zhvillojë një takim me presidentin Xi Jinping të premten, në ditën e fundit të vizitës së tij.
Kina është partneri më i madh tregtar i Bangladeshit, me vëllimin e tregtisë dypalëshe që tejkalon 24 miliardë dollarë, ndërsa eksportet vjetore të Bangladeshit drejt Kinës luhaten nga 1 miliard deri në 1.16 miliardë dollarë.
Më herët gjatë ditës, Bangladeshi dhe Kina ranë dakord edhe për bashkëpunim teknik në projektin e menaxhimit të lumit ndërkufitar Teesta, pasi lideri bangladeshas kërkoi mbështetjen kineze për këtë çështje gjatë një takimi me ministrin kinez të Burimeve Ujore, Li Guoying, në Rezidencën Shtetërore të Mysafirëve Diaoyutai në Pekin.
Ministri kinez iu përgjigj pozitivisht kërkesës dhe tha se Bangladeshi mund të përfitojë nga përvoja e Kinës në menaxhimin e ujërave, përfshirë edhe trajnimin e specialistëve në Kinë.
Lumi Teesta është një lumë i madh me gjatësi 414 kilometra, që rrjedh përmes Indisë dhe hyn në Bangladesh përmes rajonit verior Rangpur. Bangladeshi përballet me një krizë të madhe gjatë verës dhe sezonit të shirave për shkak të digave që India ka ndërtuar në rrjedhën e sipërme të lumit.
Për të përmirësuar situatën, Bangladeshi ka nisur një projekt madhor të quajtur 'Projekti Gjithëpërfshirës për Menaxhimin dhe Restaurimin e Lumit Teesta' dhe ka qenë në kërkim të investimeve për realizimin e tij.
Qeveria e mëparshme e lideres së rrëzuar, Sheikh Hasina, synonte që projekti të përfundonte me ndihmën e Indisë. Megjithatë, fokusi ndryshoi pas kryengritjes së korrikut 2024, e cila rrëzoi qeverinë e Hasinës.
Veçmas, Rahman zhvilloi të enjten takime edhe me dhjetëra kompani të mëdha kineze dhe kërkoi mbështetjen dhe investimet e tyre.
Ai deklaroi se së shpejti do të hapet zyra e parë e investimeve e Bangladeshit në Kinë, për të lehtësuar shërbimet për investitorët kinezë./ AA