‘Rezistenca, qëndrim pa kthim i qytetarëve’, Muçollari: S’e duan arrogancën e Ramës dhe të qeverisë
Protesta është kthyer në kryefjalën e çdo diskutimi në Shqipëri, duke dominuar hapësirat publike, vendet e punës dhe tryezat familjare.
I këtij mendimi është anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, i cili theksoi gjithashtu se vendi po kalon një moment të jashtëzakonshëm, ku qytetarët, pa asnjë dallim partie, feje apo krahine, janë bërë bashkë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e kryeministrit.
Sipas tij, frika që dikur mbante peng shoqërinë duket se është thyer, pasi njerëzit po refuzojnë të konformohen me një pushtet të akuzuar për arrogancë dhe korrupsion kapilar, duke kërkuar rikthimin e demokracisë institucionale dhe forcës së ligjit.
Muçollari theksoi se në një përpjekje për të mbijetuar politikisht, institucionet po përdorin propagandën si armën e tyre të fundit, ndërsa shtoi se sulmet ndaj protestuesve dhe shpikja e teorive për armiq të jashtëm, si pretendimet për ndikimin e Iranit, po përdoren si instrumente për të delegjitimuar tubimet.
Të jemi të qartë dhe të kuptojmë, sot protesta është kryefjala në çdo tavolinë shqiptarësh. Po të dalësh të shohësh në çdo bar, në çdo shtëpi, në çdo studio, në çdo tavolinë pune, herë pas here dhe mes mbledhjeve të korporatave, protesta është kryefjala e diskutimit. Dhe jo më kot, pasi është diçka e jashtëzakonshme që s'ka ndodhur në gjithë këto vite tranzicion, në gjithë këto vite demokraci, ku qytetarët vendosën pa dallim partie, krahine, ideje, fetare të dalin kundër qeverisë dhe në një kërkesë të vetme për dorëheqjen e kryeministrit dhe dorëheqjen e qeverisë. Të gjitha lidhen me një revolucion, e kam thënë unë, me një revolucion mbi të gjitha psikologjik, ku shqiptarët për herë të parë pas kaq shumë vitesh kanë vendosur ta vrasin frikën dhe të çojnë dhe të ngrenë zërin për të mos u konformuar me pushtetin dhe të ngrenë zërin për ato që ata kanë kërkuar prej më shumë se një dekade: një qeverisje më të mirë, një qeverisje me dinjitet dhe një qeverisje që nuk është e bazuar mbi arrogancën dhe mbi pushtetin e një njeriu të vetëm, por mbi pushtetin e institucioneve dhe mbi forcën e ligjit dhe demokracinë institucionale.
Ajo që po ndodh ishte e pritshme. Pas më shumë se tre javësh, kryeministri tentoi ta ndante disi opinionin publik, duke hedhur teza në qarkullimin mediatik në mënyrë që të kushtëzonte këdo që besonte sadopak te ndonjëra nga tezat, dhe më pas të distancohej nga protesta, ose nga pjesëmarrja, ose nga mbështetja publike. Përtej pjesëmarrjes masive, përtej rezistencës së qytetarëve në të gjithë këto ditë, ajo që e tremb më shumë kryeministrin është pikërisht mbështetja e gjerë në opinionin publik të kësaj proteste të drejtë dhe kësaj proteste qytetare. Dhe pasi hodhi disa teza për ta ndarë opinionin publik, e kuptoi që opinioni publik tashmë e ka kuptuar dhe e sheh kryeministrin ashtu siç është: si një njeri që do të ruajë karrigen e pushtetit dhe nuk do t'ia dijë për institucionet apo për Shqipërinë. Në këto lloj situate, do të duhet të mbajë radhët e tij, pasi kryeministri në vetvete sot që ne flasim, ka numrat në parlament, nuk i ka të vogla, dhe interesi i tij është që të mbajë radhët e tij. Dhe jo më kot, sulmi ndaj protestuesit që lexoi disa kërkesa, është e organizuar dhe po përdor të gjitha levat e tij të propagandës, ose më saktë ato që i kanë mbetur.
Pasi siç e shihni, pak vetë i kanë ngelur sot kryeministrit, pasi askush nuk do të jetë në ekuipazhin e një varke që po mbytet. Kështu që me ata që i kanë ngelur, po mundohet të përdorë çdo lloj elementi për të dhënë një mesazh të qartë për të tijtë. Për të dhënë një mesazh të qartë për deputetët e tij, për njerëzit të cilët kanë funksione në Partinë Socialiste, të cilët ai tashmë është koshient që e mendojnë ndryshe, pasi jo më kot ata nuk po dalin në mbrojtje. Dhe mesazhi është që unë do gërmoj në gjithçka që ju mund të keni pasur në jetë dhe do t'i përdor të gjitha instrumentat e mi për t'ju delegjitimuar, siç po bën me rastin e protestuesit. Dhe kjo është një papërgjegjshmëri absolute kur duhet të jemi të qartë: sot qytetarët, jo vetëm opozitarët, por edhe shumë prej atyre të cilët me sa duket në një mënyrë apo tjetër e paskan votuar zotin Rama, kishin vendosur të konformoheshin, kishin vendosur në pamundësi ose duke e ndier veten të pafuqishëm për ta ndryshuar një pushtet i cili ka të gjitha instrumentet e jashtëligjshëm për të kontrolluar dhe për të deformuar vullnetin zgjedhor, kishin zgjedhur të qëndronin me të.
Sot gjithsecili e ka vrarë frikën dhe sot të gjithë janë të qartë që nuk e duan më këtë lloj qeverisjeje, nuk e duan pushtetin në dorën e vetëm një njeriu, nuk e duan arrogancën e kryeministrit dhe arrogancën e qeverisë, nuk e duan korrupsionin i cili me thënë të drejtën ka kapluar çdo sektor të shtetit. Dhe nuk e duan. Duan një qeveri që të qeverisë, jo një qeveri që të sundojë. Një qeveri që qeveris nuk është kjo e sotmja. Një qeveri që qeveris nuk është ajo që e ka patur model zoti Rama. Dhe jo më kot, sot po shikojmë element që po trembin edhe ekonominë. Në disa ditë rresht Euro po vazhdon po bie, po dëmton gjithmonë e më shumë eksportet, gjithmonë e më shumë bujqësinë, gjithmonë e më shumë fasonerinë. Kështu që kemi të bëjmë me një degradim të shtetit, kështu që sa më shpejt të vijë zgjidhja aq më mirë do të jetë për shtetin, dhe kam përshtypjen do të jetë mirë edhe për zotin Rama.
Unë mendoj që çdo ditë që kalon, gjithmonë e më shumë guximi, forca, ndjeshmëria e qytetarëve, por jo vetëm e opozitarëve, po të gjithkujt, të punonjësve të administratës publike po dhe të socialistëve në qoftë se doni, ata po e kuptojnë gjithmonë e më shumë që frika duhet vrarë në mënyrë që ti të kesh një qeverisje më të mirë. Dhe prandaj e kam quajtur një revolucion psikologjik, sepse gjëja e parë që bëri kjo protestë është vrau frikën. Vrau frikën e qytetarëve të cilët mendonin se çfarë do t'ju ndodhte nëse i dilnin kundër pushtetit. Përveçse rrëzoi dhe atë të themi shtyllën kryesore ku mbahet kjo qeverisje, që është propaganda. Në 100 ditët e para kjo protestë, një nga mrekullitë e saj ishte që rrëzoi shtyllën më të fortë që Rama ka përdorur në qeverisjen e tij, që është propaganda. Dhe në këtë aspekt, jo më kot njerëzit kanë gjetur kurajo, kanë gjetur zemër në një farë mënyre për të vazhduar, për ta mbështetur këtë protestë, sepse kjo i ka rritjet e saja. Por qytetarët janë të qartë. E kanë shprehur vullnetin e tyre qartazi. Opinioni publik e mbështet qartazi. Nuk e duan më këtë lloj qeverisjeje. Kërkojnë një kontratë të re. Kërkojnë një mënyrë të re të të bërit politikë dhe pse jo dhe të të qeverisurit.
Kërkojnë qeveri teknike, kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si themeli, si ABC-ja e një republike demokratike parlamentare. Dhe jo më kot çdo ditë po vazhdon dhe ka raste ku qytetarët vërshojnë në numra të tejskajshëm. Po patjetër që në gjithë këto ditë mund të ketë dhe raste ku të themi nuk janë aq të shumtë në numër. Por rezistenca në gjithë këto ditë, pjesëmarrja e lartë gati në çdo protestë, po tregon për një qëndrim të pakthim të qytetarëve. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, si të vetmen zgjidhje që mund t'i hapë vendit frymëmarrje politike, frymëmarrje institucionale, po pse jo të japë dhe optimizëm. Të japë optimizëm tek e gjitha shtresa e mesme, e cila për fatin e keq në këto 13 vjet gjithmonë e më shumë është larguar. Ne sot kemi fituar optimizmin. Ajo protestë i ka dhënë qytetarëve mundësinë që ata mund ta vendosin vetë fatin e tyre.
Dhe jo më kot sot ndodhemi në këto pozita, ku kryeministri po përdor çdo instrument të tij për ta delegjitimuar protestën. Dhe po përdor armiq të jashtëm, armiq të brendshëm, algoritma të cilat ai po përpiqet të shmangë, të shmangë fundin e tij. Por me sa shoh, dhe në përgjithësi të gjithë autokratët nuk e kuptojnë kur u vjen fundi. Dhe besoj se në ditët në vazhdim do të vazhdojë, dhe do të ketë një mbështetje të fortë protesta, dhe jo më kot zërat kundër qoftë edhe brenda Partisë Socialiste, por dhe në opinionin publik, njerëz të cilët dikur mund ta kenë mbështetur kryeministrin apo qeverinë, kanë dalë dhe kanë mbajtur qëndrime të qarta.