Tërmeti në Venezuelë/ Dëshmia: Ka njerëz të gjallë aty brenda dhe askush nuk po vjen t’i shpëtojë
Shumë banorë e kaluan natën në rrugë ose duke kërkuar familjarët e tyre në Catia La Mar, në shtetin La Guaira, që besohet të jetë një nga rajonet më të goditura të Venezuelës. Ata kanë folur për agjencinë e lajmeve AFP.
'Për momentin nuk kemi asgjë, madje as forcën apo guximin për të hyrë aty brenda', thotë Larry Rojas, 49 vjeç, ndërsa qëndron përpara një ndërtese të shembur ku familja e tij është bllokuar.
'Ka njerëz të gjallë aty brenda dhe askush nuk po vjen t’i shpëtojë', thotë një grua teksa pret lajme për vajzën e saj, e cila u varros nën rrënojat e një ndërtese 12-katëshe.
Në kryeqytetin venezuelian Karakas, Odalis Escalona, 54 vjeç, përshkruan se si 'shkallët u shkëputën, i gjithë muri u çarë. Gjërat ranë nga tavani'.
Carmen Guedez, 69 vjeçe, e cila jeton në një lagje kodrinore mbi Karakas, thotë se dritaret e saj filluan të lëviznin gjatë tërmeteve. Ajo thotë se u 'mblodh ngushtë' me motrën e saj të shtrirë në shtrat dhe një fqinj, duke shtuar se 'nuk mundëm të dilnim jashtë'./ BBC