Dosja Toyota Yaris/ GJKKO kalon për gjykim çështjen ndaj dy të pandehurve (EMRAT)
Gjykata e Posaçme vendosë të pranojë kërkesën e SPAK dhe të kalojë për gjykim dy prej të pandehurve të dosjes “Toyota Yaris”, Astrit Vladin dhe ish-oficeren e BKH-së Eriona Daupaj. Vladi akuzohet për“Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, e kryer në bashkëpunim, e kryer katër herë, dhe “Korrupsioni aktiv” e kryer në bashkëpunim, ndërsa Eriona Daupaj, është e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm” e kryer katër herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, “Korrupsioni pasiv” e kryer dy herë, raporton gazetari i Syri, Fatjon Gjinaj.
Ky procedim penal është ndarë nga ai i mëparshëm teksa hetimet treguan se nga dyshja në fjalë pati ndërhyrje për të lehtësuar pozitat ligjore të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” , e kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera është provuar se i pandehuri, Astrit Vladi i ka kërkuar të pandehurës, Erida Lazimi, e cila ushtron profesionin e avokates, të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, me qëllim për të favorizuar shtetasit, Alfred Vladi etj.
E pandehura Erida Lazimi i ka premtuar dhe i ka siguruar të pandehurit, Astrit Vladi aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, kundrejt përfitimit të parregullt në formë monetare, me qëllim për të favorizuar personat, për të cilët ishte kërkuar dërgimi i çështjes në gjyq në atë procedim penal.
Disa kohë më parë Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi shuarjen e masës së sigurimit personal “arrest në burg” të caktuar ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës në korrik të 2024, Aurel Zarka, i pandehur për të njëjtën dosje e ku u gjykua veç. Zarka u dënua për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështje penale që lidhen me dosjen e quajtur “Toyota Auris”, të hetuar në Tiranë, si dhe në çështje të tjera penale të prokurorisë që ai drejtonte.
Vendimi për lirimin e Zarkës u mor me arsyetimin se koha e paraburgimit ishte e njëjtë me dënimin prej 2 vjetësh e 8 muajsh burgim të dhënë ndaj këtij të pandehuri nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Dosja penale në ngarkim të Zarkës, ish-oficeres së policisë gjyqësore Eriona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi, u dërgua për gjykim në janar të vitit 2025. Ndërkohë, çështja u nda për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje.