Polici i burgut të Durrësit 'kapet mat' duke futur kokainë në qeli
Një punonjës i policisë së burgjeve dhe një i burgosur janë arrestuar në flagrancë në IEVP Durrës, pas zbulimit të një sasie lënde të dyshuar narkotike brenda institucionit.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në pranga kanë përfunduar shtetasit A.P., me detyrë punonjës policie në IEVP Durrës, dhe A.M., i burgosur në këtë institucion.
Ata dyshohen për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve me Burgim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Zbardhja e rastit erdhi pas një kontrolli të ushtruar nga AMSEVP në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.Gjatë verifikimeve është konstatuar se punonjësi i policisë së burgjeve, gjatë ushtrimit të detyrës në ambientet e IEVP-së, i kishte dhënë të burgosurit një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Lënda është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj dy personave janë kryer veprimet procedurale përkatëse.
AMSEVP bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse ka raste të tjera të ngjashme brenda IEVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.