Nga spitalet pa barna te kullat/ Hoxhaj: Milionat e Check-Up-it u kanalizuan në investime private
Një investigim i thelluar ka nxjerrë në dritë dyshime të forta mbi mënyrën se si po përdoren paratë e taksapaguesve shqiptarë të destinuara për koncesionin e check-up-it.
I ftuar në studion e lajmeve, gazetari Julian Hoxhaj u shpreh se investigimi mbi koncesionin e Check-Up-it ka zbuluar se shteti shqiptar ka paguar miliona euro për analiza të pakryera, ndërsa një pjesë e këtyre fondeve dyshohet se janë kanalizuar drejt investimeve private.
Hoxhaj deklaroi se dokumentet tregojnë një pagesë prej rreth 1.1 milionë eurosh të kryer nga Vilma Nushi për llogari të shoqërisë Victoria Invest, e cila po ndërton kullën "Ekspozita Building", ndërsa theksoi se koncesioni i Check-Up-it ka përfituar pagesa shumë më të larta se shërbimet e ofruara.
Sipas tij, ndërsa spitalet publike përballen me mungesë barnash, mjekësh dhe investimesh, dhjetëra milionë euro nga buxheti i shtetit janë shpenzuar për një koncesion që nuk ka realizuar objektivat e parashikuara në kontratë.
Pjesë nga deklarata:
Atëherë, së pari duhet të bëjmë një sqarim për publikun, të cilin, në fakt, ne e bëmë mbrëmjen e djeshme si emision, si televizion. Zonja Vilma Nushi, ose më saktë kompania e saj, nëpërmjet një studioje ligjore, na kishte dërguar një shkresë ku na njoftonte se na kishte kthyer një përgjigje në muajin dhjetor, të cilën ne nuk e kishim parë për shkak të një gabimi teknik. Email-i kishte ardhur në dosjen e emaileve të padëshiruara, pra në spam. Megjithatë, ne e kemi transmetuar të plotë dhe e kemi bërë publike, për të qenë transparentë me publikun, por edhe për të treguar të vërtetën.
Po e nis nga email-i i parë. Email-i i parë lidhet pikërisht me faktin se, në muajin dhjetor, zonja Vilma Nushi na tregonte se kompania e saj kishte nisur financimin, ose investimin, siç thoshte ajo, në ndërtimin e kullës Ekspozita Building. Kjo dëshmohej edhe nga të dhënat që ne kemi parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku zonja Nushi, në vitin 2018, ka bërë një pagesë prej rreth 1.1 milion eurosh për llogari të shoqërisë Victoria Invest, ku po ndërtohet kulla Ekspozita Building.
Por ajo që është e rëndësishme për t’u theksuar është se ndërtimi i kullës ka nisur më vonë, sepse deri në vitin 2019 ende nuk ishte marrë leja e ndërtimit. Pra, pagesa që zonja Nushi ka bërë ka qenë në vitin 2018, ndërsa leja e ndërtimit është marrë në vitin 2019 dhe punimet, sigurisht, kanë nisur pas kësaj periudhe. Kjo do të thotë se ka një lloj mosrakordimi, apo mungesë sinqeriteti, për sa i përket pretendimit të zonjës Nushi.
Elementi tjetër është se, në email-in apo përgjigjen që na ka dërguar tashmë, pasi u transmetua emisioni i parë i Plug, zonja Nushi ka ndryshuar në një farë mënyre qëndrim. Pra, kemi një përgjigje kontradiktore, sepse ajo thotë se ka një kontratë porosie për blerjen e një sipërfaqeje të caktuar në këtë objekt. Pra, nga financimi në ndërtim, kalon te një kontratë porosie.
Të dyja rastet janë kontradiktore dhe, të paktën nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, në momentin që një person bën kontratë porosie, ai kalon te ato që quhen detyrime të arkëtueshme. Pra, biznesi i regjistron këto para te totali i të ardhurave të realizuara deri në atë moment nga shitja e pronave, por pa publikuar emrat e subjekteve që kanë porositur sipërfaqe ndërtimi, njësi shërbimi apo çfarëdo lloji tjetër.
Ndërsa, në rastin e bilanceve të kompanisë Victoria Invest, rezulton se zonja Nushi së bashku me zotin Luan Mata janë investitorë, pra financues. Në bilancet e vitit 2018 ata rezultojnë si financues. Ky është elementi kryesor dhe, sigurisht, ne përgjigjet e zonjës Nushi i kemi publikuar për hir të transparencës dhe për t’u treguar qytetarëve se cila është e vërteta.
Kjo e vërtetë do të duhet të zbardhet me kalimin e kohës, sepse mund të qëndrojë pretendimi se është bërë një financim në ndërtim dhe mund të ketë qenë një lapsus juridik, gjë që unë nuk e besoj. Vetë studioja ligjore që zonja Nushi ka zgjedhur për ta përfaqësuar është një studio me emër dhe nuk besoj se do t’i lejonte vetes të bënte lapsuse juridike në kthimin e përgjigjeve zyrtare, aq më tepër kur bëhet fjalë për mediat.
Sigurisht, nëse bëhet fjalë për financim në ndërtim apo për kontratë porosie, kjo do të duhet të verifikohet në përfundim të investimit, për të parë edhe kontratën finale, pra certifikatën e pronësisë së objektit.
Atëherë, Arnold, duhet të sqarojmë diçka. Ne kemi bërë një investigim të plotë për sa i përket parave të check-up-it. Investigimin tonë e nisëm nga pjesa më e rëndësishme: sa para i ka paguar shteti kompanisë 3P Life Logistic, e cila është koncesionare e check-up-it.
Deri më tani, ajo që vlen të theksohet është se koncesioni është paguar shumë më tepër sesa shërbimi që ka ofruar. Nëse është kontraktuar për të kryer rreth 3 milionë e 900 mijë analiza, koncesioni jo vetëm që nuk i ka kryer këto analiza gjatë gjithë periudhës së kontratës, por pagesat që shteti shqiptar ka disbursuar kanë qenë shumë herë më të mëdha në raport me analizat e kryera.
Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se, sa herë që shkojnë në spitale dhe nuk gjejnë barna, medikamente apo shërbim shëndetësor cilësor, sa herë që përballen me mungesë mjekësh, me largimin e tyre drejt Gjermanisë për shkak të pagave të ulëta, me radhë të gjata apo mungesë shtretërish, duhet të kuptojnë se paratë nuk kanë munguar kurrë për shtetin shqiptar.
Problemi është se këto para, si në rastin e sterilizimit apo të koncesionit të laboratorëve, kanë përfunduar në duar të gabuara. Kanë përfunduar te koncesioni i check-up-it.
Nga përllogaritjet tona, bëhet fjalë për mbi 20 milionë euro pagesa të pamerituara. Këtu përfshihen pagesat e TVSH-së, ndonëse ligji i përjashton shërbimet shëndetësore nga TVSH-ja, si edhe pagesa për analiza të pakryera.
Ka ekzistuar një numër minimal analizash, i quajtur “dysheme”, për të cilin shteti shqiptar ka paguar çdo vit, rreth 475 mijë analiza. Ndërkohë, ky numër nuk është arritur asnjëherë. Ka pasur vite kur nuk është realizuar as 60% e këtij objektivi.
Pra, shteti shqiptar i ka paguar çdo vit zonjës Vilma Nushi, përmes kompanisë që ka koncesionin e check-up-it, për 475 mijë analiza, ose rreth 9 milionë euro në vit.
Ne kemi arritur të bëjmë një analizë financiare dhe kemi konstatuar se një pjesë e madhe e këtyre parave janë kanalizuar në forma dhe mënyra të ndryshme. Këtu përfshihen kompani të lidhura me zonjën Nushi, por edhe kompani fiktive.
Rasti më flagrant është ai i një zonje që rezultonte me subjekt të regjistruar në qytetin e Vlorës. Ky subjekt kishte disa vite me status të pezulluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe, çuditërisht, në vitin 2017, për pak ditë riaktivizoi NIPT-in, lëshoi rreth 44 mijë euro fatura për koncesionin e check-up-it dhe më pas u kthye sërish në status pasiv.
Forma të ngjashme ka pasur pafund. Rreth 28 milionë euro janë qarkulluar përmes kompanive të lidhura me zonjën Nushi, pra kompani të familjarëve, njerëzve të afërt ose kompani që ajo i kontrollon në mënyrë indirekte.
Këto janë para që kanë dalë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe i janë paguar koncesionit të check-up-it për një shërbim të pakryer.
Dua të theksoj edhe një element tjetër: sipas kontratës, norma e fitimit duhej të ishte rreth 200 mijë euro në vit. Pra, nga rreth 9 milionë euro që shteti i paguante çdo vit kompanisë 3P Life Logistic, fitimi i saj duhej të ishte vetëm 200 mijë euro.
Por a e dini se çdo vit ky koncesion ka rezultuar me fitime jo 200 mijë euro, jo 400 mijë euro, por në disa raste edhe mbi 1.3 milionë euro fitim neto pas taksave?