Ambasadori Meidani në 25-vjetorin e Betejës së Haraçinës: Liria nuk dhurohet, ajo mbrohet
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 25-vjetorit të Betejës së Lavdishme të Haraçinës dhe 30-vjetorit të themelimit të Komunës së Haraçinës, ku nderoi sakrificën e dëshmorëve, veteranëve dhe familjeve të tyre.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Mejdani vlerësoi kontributin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe theksoi se liria, dinjiteti dhe barazia janë arritur falë sakrificave të atyre që nuk u tërhoqën përballë sfidave. “Liria nuk dhurohet. Ajo mbrohet”, u shpreh ambasadori, duke nënvizuar se beteja e sotme vazhdon për institucione të forta, drejtësi, barazi dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Fjala e plotë:
Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
Të nderuar veteranë,
I nderuar Kryetar i Komunës,
Të nderuar qytetarë të Haraçinës,
Të dashur miq,
Sor jemi mbledhur për të nderuar një histori.
Një histori sakrifice.
Një histori qëndrese.
Një histori dinjiteti.
30 vite nga themelimi i Komunës së Haraçinës.
25 vite nga Beteja e Lavdishme e Haraçinës.
Dy data të ndryshme.
Por një histori e vetme.
Institucionet që kemi sot nuk lindën rastësisht.
Ato u ndërtuan mbi sakrificën e atyre që besuan se ky popull meritonte liri, dinjitet dhe barazi.
Ka momente në historinë e një kombi kur koha ndalet dhe historia shtron vetëm një pyetje:
Ku ishe ti kur kombi kishte nevojë për ty?
Dhe historia e mban mend përgjigjen.
Kombet nuk ndërtohen në rehati.
Nuk ndërtohen në zyre të ngrohta.
Nuk ndërtohen në fjalë boshe.
Kombet ndërtohen në sakrificë.
Në net pa gjumë.
Në male të ftohta.
Një brez u ngrit kur ngritja kishte çmim.
Një brez e pa rrezikun në sy dhe nuk u tërhoq.
Një brez nuk pyeti nëse liria ishte e lehtë.
Pyeti vetëm nëse ishte e domosdoshme.
Ai brez u bë Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Zëri i një populli që refuzoi të jetonte i përkulur.
Që refuzoi ta pranonte nënshtrimin si fat.
Ka popuj që dorëzohen para historisë.
Dhe ka popuj që ngrihen mbi të.
Shqiptarët e Haraçinës zgjodhën të ngrihen.
Dhe ne, sot, kujtojme me respekt ngritjen e tyre,
Kujtojmë dëshmorët.
Nderojmë veteranët.
Dhe përulemi para familjeve që mbajtën barrën më të rëndë të sakrificës.
Një popull që harron ata që sakrifikuan për të, fillon të humbasë respektin për vetveten.
Liria pa kujtesë shndërrohet në rehati pa dinjitet.
Dhe dinjiteti është pasuria më e madhe e një kombi.
Veteranët tanë përfaqësojnë shumë më shumë se një kapitull lufte.
Ata përfaqësojnë karakter.
Disiplinë.
Besnikëri.
Përgjegjësi.
Dhe bindjen se liria nuk dhurohet.
Ajo mbrohet.
Të dashur miq,
Sot beteja ka ndryshuar formë.
Por përgjegjësia jo.
Sot beteja është për institucione që nuk përkulen.
Për barazi që nuk negociohet.
Për një identitet që nuk kërkon leje për të ekzistuar.
Për një gjuhë që nuk kërkon tolerim, por respektim.
Një komb nuk mbijeton vetëm me ligje dhe institucione.
Një komb ka nevojë për karakter.
Për njerëz që e njohin sakrificën.
Për njerëz që e kuptojnë se përgjegjësia nuk është privilegj, por detyrim.
Dhe pikërisht për këtë arsye, kombi ynë ka ende nevojë për ju.
Jo në llogore.
Por në betejat e përditshme për dinjitet, drejtësi dhe përgjegjësi.
Ka nevojë për shembullin tuaj.
Për karakterin tuaj.
Për kujtesën tuaj.
Sot Haraçina ka arsye të jetë krenare jo vetëm për të kaluarën e saj, por edhe për sukseset që vazhdon të japë.
Më lejoni të përgëzoj edhe Shkëndijën për suksesin historik dhe kualifikimin në raundin e parë të Ligës së
Kampionëve. Ky sukses na kujton se kur ka vizion, disiplinë dhe punë të përbashkët, rezultatet nuk mungojnë.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Betejës së Haraçinës.
Nderim veteranëve.
Urime 30-vjetorin e Komunës së Haraçinës.
Qoftë gjithmonë e begatë Haraçina,
simbol i qëndresës, dinjitetit dhe krenarisë shqiptare!