'Dëgjoheshin thirrje nga rrënojat', banorët rrëfejnë tmerrin e tërmetit të fuqishëm në Venezuelë

Momente paniku, lot dhe ankth kanë përjetuar banorët e kryeqytetit venezuelian, Karakas, pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën qytetin brenda pak sekondash nga njëri-tjetri.

Gazetarja Nicole Kolster ishte në apartamentin e saj në katin e shtatë kur filluan lëkundjet e forta. Ajo tregon se pa dritaret duke u dridhur me forcë dhe instinktivisht u strehua mes derës së hyrjes dhe një muri guri për t’u mbrojtur.

“Është tërmeti më i fortë që kam ndjerë ndonjëherë në jetën time. Ishte aq i fuqishëm sa mendova se ndërtesa do të binte mbi mua”, rrëfen ajo.

Pas lëkundjeve, banorët dolën menjëherë në rrugë nga frika e pasgoditjeve. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që qajnë, përqafohen dhe kërkojnë familjarët mes kaosit të krijuar.

Një tjetër banore e zonës së prekur tha se lëkundjet shkaktuan çarje në muret e apartamentit të saj.

“Ka shtylla të rrëzuara, nuk kemi energji elektrike dhe as sinjal telefoni,” tregoi ajo.

Ndërkohë, banorët raportuan se nga rrënojat e disa ndërtesave të dëmtuara dëgjoheshin thirrje për ndihmë, ndërsa ekipet e emergjencës vijonin operacionet e kërkim-shpëtimit.

Për shumë qytetarë, tërmeti riktheu kujtimet e katastrofës së vitit 1967, kur një lëkundje e fortë goditi Karakasin dhe shkaktoi qindra viktima. Megjithatë, disa prej atyre që e kanë përjetuar edhe atë ngjarje shprehen se tërmeti i fundit ishte edhe më i frikshëm.

“Gjërat ranë në të gjithë shtëpinë. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë,” tha një banor.