Tërmetet shkatërruese në Venezuelë: Shkon në 164 nukmri i viktimave, mbi 700 të plagosur
Të paktën 164 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 700 të tjerë janë plagosur si pasojë e një serie tërmetesh të fuqishme që goditën Venezuelën, njoftoi presidentja e përkohshme e vendit, Delsy Rodriguez.
Sipas raportimeve të Reuters, bilanci i viktimave pritet të ndryshojë pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat më të prekura.
Tërmeti më i fortë arriti magnitudën 7.5 ballë, ndërsa pak çaste më herët ishte regjistruar një lëkundje tjetër me magnitudë 7.2. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit të parë ndodhej rreth 160 kilometra në perëndim të Karakasit.
Lëkundjet u regjistruan rreth orës 18:00 sipas kohës lokale dhe u ndjenë në të gjithë vendin, veçanërisht në kryeqytetin Karakas. Autoritetet raportuan shembjen e një numri të madh ndërtesash, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëme të konsiderueshme infrastrukturore. Aeroporti i Karakasit është mbyllur për shkak të dëmtimeve.
Presidentja e përkohshme Rodriguez shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe bëri të ditur se janë regjistruar më shumë se 20 lëkundje pasuese. Ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në rrënoja për të gjetur të mbijetuar.
USGS paralajmëroi se pasojat mund të jenë edhe më të rënda. Institucioni vlerëson se ekziston një probabilitet prej 44 për qind që numri i viktimave të kalojë 10 mijë dhe një probabilitet prej 30 për qind që ai të tejkalojë 100 mijë, megjithëse këto mbeten vetëm parashikime fillestare.
Mediat ndërkombëtare, përfshirë France 24, raportuan skena paniku në rrugët e Karakasit, ku mijëra qytetarë dolën jashtë banesave pas lëkundjeve të forta.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilësoi ngjarjen si një katastrofë të përmasave të mëdha dhe deklaroi se kishte urdhëruar agjencitë amerikane të përgatiteshin për të ofruar ndihmë emergjente. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin popullin venezuelian në përballimin e pasojave të katastrofës.
Ky konsiderohet si një nga tërmetet më të fuqishme që ka goditur Venezuelën në dekadat e fundit. Vendi ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik, ku takohen pllakat tektonike të Karaibeve dhe Amerikës së Jugut. Historia e Venezuelës njeh disa tërmete shkatërruese, përfshirë atë të vitit 1812, që mori rreth 30 mijë jetë, si dhe tërmetin e vitit 1967 në Karakas, ku humbën jetën 240 persona.