Balla në panik, predikon patriotizëm, por nuk mban mend as sa vite shtet ka Shqipëria...
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhuroi një tjetër performancë të dobët publike gjatë përballjes me gazetarët, ku në vend të argumenteve zgjodhi propagandën, sulmet personale dhe gafat elementare historike.
Teksa përpiqej të ngrinte në piedestal Edi Ramën, Balla deklaroi se “në 104 vite shtet” lideri socialist është i vetmi që i ka thënë Serbisë në Beograd se Kosova është shtet i pavarur. Por edhe ky mesazh propagandistik u shoqërua me një gafë që nuk kaloi pa u vënë re. Shqipëria nuk ka 104 vite shtet, por 114 vite nga shpallja e pavarësisë në vitin 1912. Një gabim prej plot 10 vitesh nga një prej figurave më të larta politike të mazhorancës, i cili pretendon të japë leksione historie dhe patriotizmi.
Më problematik se gafa ishte hipokrizia politike që pasoi. Balla u shfaq i shqetësuar për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar se shqiptarët duhet të protestojnë në Shkup për mbrojtjen e saj. Por pyetja që lind natyrshëm është: ku ishte qeveria shqiptare kur shqiptarët atje kërkonin mbështetje konkrete? Ku ishin iniciativat diplomatike, presioni politik dhe angazhimi institucional i Tiranës zyrtare për një çështje që vetë Balla e quan “mbarëkombëtare”?
Po aq shqetësues ishte edhe qëndrimi arrogant ndaj medias. Përballë pyetjeve legjitime për raportet me Kosovën dhe për perceptimin e shumë shqiptarëve jashtë Shqipërisë se Tirana nuk po mbron interesat e tyre, Balla nuk dha përgjigje bindëse. Në vend të kësaj, ai sulmoi gazetarin, i tha se nuk ishte politikan dhe insinuoi lidhje me opozitën. Një reagim tipik i një politikani që nuk ka argumente të forta dhe zgjedh të sulmojë pyetësin në vend që të përballet me pyetjen.
Në vend që të shpjegonte pse ka kaq shumë pakënaqësi ndaj qeverisë shqiptare, Balla preferoi t’i etiketojë kritikët si “pseudo-patriotë” dhe “histerikë”. Kjo gjuhë përçmuese nuk i zgjidh problemet dhe as nuk fsheh faktin se qeveria që ai përfaqëson ka dështuar të krijojë besim te shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë.
Në fund, konferenca e Ballës prodhoi tre gjëra: një gafë historike që ekspozoi mungesën e kujdesit ndaj fakteve, një sulm të panevojshëm ndaj medias dhe një tjetër dozë patriotizmi verbal pa llogari konkrete për atë që është bërë realisht për shqiptarët në rajon. Kur propaganda zë vendin e argumentit, rezultati është pikërisht ky: shumë zhurmë, pak fakte dhe edhe më pak përgjegjësi.
Pjesë nga biseda:
Gazetari: Tani një pyetje tjetër. Është bërë një diskutim gjithë këto ditë, ju dhe kryeministri hidhni në rrjetet sociale shqiptarë nga Kosova, nga Maqedonia, diskutoni pse marrin pjesë në protestat kundër qeverisë shqiptare. Pse kjo qeveri ka këtë qasje tashmë, i doni shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë vetëm për ndeshjet e kombëtares në stadium, vetëm për atë traun 5 euro, ndërkohë që ato mund të kenë të drejtë të protestojnë për shkak të flirtit të hapur të vazhdueshëm të kryeministrit shqiptar, i cili është shteti amë, me kryeministrin e Serbisë, i cili pasi bën një shkrim Edi Rama, poston në Facebook që Kosova ka qenë, është dhe do të jetë Serbi. Pse s'paskan të drejtë qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë të protestojnë për një qeveri e cila jo vetëm nuk mbron... po ato mendojnë që nuk mbron interesin e shqiptarëve të Shqipërisë, por dhe interesin e tyre të cilin e ka detyrim?
Taulant Balla: E para. Në 104 vite shtet, nga viti 1912 e këndej, i vetmi udhëheqës shqiptar i cili ka shkuar mu në mes të Beogradit, udhëheqës shqiptar nga të gjitha trevat, jo vetëm nga Shqipëria, që ka shkuar mu në mes të Beogradit dhe ia ka plasur mu në mes të Beogradit, mu në ballë dhe në sy, presidentit të Serbisë që Kosova është shtet i pavarur, është vetëm Edi Rama dhe ky është një fakt i pamohueshëm.
Gazetari: Është edhe një fakt i pamohueshëm që është i vetmi që ka vënë sanksione ndaj Kosovës i pari. As Enver Hoxha s'e ka bërë.
Taulant Balla: Dhe kur e dëgjoj Berishën që të më flasi ky për ushtrinë çlirimtare të Kosovës, një njeri që nuk ka thënë një fjalë të vetme për komandantët e UÇK-së, sepse në rast se ne shqiptarët të Kosovës, të Shqipërisë, të Preshevës, të Maqedonisë së Veriut duhet të ishim sot në një protestë, duhet të ishim të gjithë në Hagë për të kërkuar çlirimin e komandantëve që mbahen padrejtësisht prej thuajse 6 vitesh.
Gazetari : Domethënë të jetë kjo një arsye... Po ato mendojnë që qeveria shqiptare nuk i përfaqëson interesat...
Taulant Balla: Nuk je politikan, je gazetar, bën pyetjen, do presësh përgjigjen. Të pëlqen s'të pëlqen përgjigja është çështje tjetër. Kur të bësh politikanin, hajde këtu e bëjmë bashkë. Hapi, thoji Saliut të të fusi se kështu e ka ai, merr nga televizioni i vet edhe i fut këtu. Po të lutem, thuaja.
Ndërkohë që në vlerësimin tim, në rast se shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Preshevë, në Çamëri, kudo doni ju, duhet të ishin sot në një protestë, unë i ftoj të ishim të gjithë në Shkup për të kërkuar mbrojtjen e gjuhës shqipe në institucione dhe në shkolla. Për këto çështje, këto janë çështje mbarëkombëtare. Për këto çështje duhet të jemi bashkë. Në rast se shqiptarët janë të shqetësuar edhe për çështje që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në të drejtat pronësore dhe jo vetëm në Çamëri, le të vijnë edhe nesër në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në një seancë të posaçme, jo plenare, ku do të diskutojmë për gjithë këtë çështje. Këto janë çështjet që duhet të mblidhemi të gjithë së bashku. Dhe në gjithë këtë histeri dhe furi, pseudo-patriotësh, të cilët kujtojnë se mund të bëhen atdhetarë duke vënë një qeleshe apo duke marrë flamurin dhe njëra duke ia lidhur edhe qenit flamurin, këto nuk janë patriotë. Këta janë një grup histerie të cilët nuk kanë lidhje fare me patriotizmin. Se të jesh sot patriot, po jua thashë, duhet të jesh sot në Hagë duke protestuar për të çliruar komandantët e UÇK-së, duhet të jesh në Shkup duke protestuar që të rikthehen provimet në gjuhën shqipe. Dhe për këtë çështje, mendoj mendoj se duhet...
Gazetari : Po është një shtet i fortë shqiptar prapë, dhe ato për këtë arsye mund të jenë këtu. Zoti Balla ju sot kishit postuar zotin Haradinaj, po para ca vitesh Edi Rama e hodhi në gjyq. Që është ndonjë nga luftëtarët e UÇK-së. Mos keni ju qëndrime kontradiktore, sipas interesit politik të Partisë Socialiste për shqiptarët e Preshevës. Ka diskutuar ndonjëherë zoti Rama me Vuçiçin?
Taulant Balla: Komandant Smajlin e kam mik shtëpie. E dua shumë, e respektoj shumë.