Muçollari: Sulmi i Edi Ramës ndaj protestuesit, që ta dëgjojnë mirë anëtarët e organizatës
Anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari ka reaguar sërish në lidhje me deklaratat e Edi Ramës ndaj protestuesve.
Sipas tij, sulmi i Edi Ramës ndaj protestuesve bëhet me qëllim që ta dëgjojnë mirë anëtarët e organizatës së tij, që të mos i dalin kundër.
Reagimi i Grigels Muçollarit:
Sulmi ndaj protestuesit që ta dëgjojnë mirë anëtarët e organizatës..
Në një vend ku Kryeministri ka ngritur narkoshtet dhe i ka hapur rrugën pastrimit të parave të drogës në ndërtim, ku bashkëpunëtorët e tij kryesorë janë nën akuzë për korrupsion, ku ai vetë, shefi i ekzekutivit pi verë 33 mijë euro shishja ndërsa pensioni është 150 euro, problem më i madh i ditës qenka nëse ka luftuar apo jo ai që lexoi kërkesat e protestuesve në shesh.
Kryqëzimi me makinerinë më të rëndë të baltës i një personazhi pa pushtet vetëm se doli kundër Kryeministrit tregon gjendjen e rëndë ku është demokracia jonë sot. Më shumë se për të trembur qytetarët që e kanë larguar frikën, sulmi i organizuar dhe brutal i Ramës ndaj atij që ngrihet në podiumin e sheshit, është një mesazh për anëtarët e organizatës.
Edi Rama po kërkon t’u thotë Elisës dhe Koçekut, apo të tjerëve që janë shfaqur si kritikë këto ditë, se çfarë i pret. Kushedi si janë sulur institucionet, shërbimet dhe patronazhistët për kërkuar e gjetur cene të mundshme tek secili që ka shfaqur shenja të pabindjes.
Në këto momente kur qartazi e ka humbur mbështetjen popullore, Edi Rama kërkon me çdo kusht të ruajë radhët e rilindjes. Ndaj dhe bëri shembull protestuesin e 5 pikave. Ai po u thotë anëtarëve të organizatës se sa i pamëshirshëm do të jetë ndaj tyre nëse do të guxojnë të lëvizin nga rreshti.
Ky është një zhvillim dramatik që na manifeston të gjithëve se tanimë është detyrë kombëtare largimi i tij sa më shpejt nga karrigja, nga ai pushtet që është gati ta përdorë kundër çdokujt thjesht e vetëm për të ruajtur imunitetin dhe privilegjet.