Taksat mblidhen, investimet ngecin/ Paaftësia e qeverisë po frenon rritjen e ekonomisë shqiptare

Parashikimet e qeverisë shqiptare për investimet publike përgjatë vitit 2026 kanë pësuar një rishikim të ndjeshëm në rritje në krahasim me Kuadrin Makroekonomik 2026-2028.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave të pasqyruara në analizën Raporti i Devijancave të Parashikimeve fondet e alokuara për investime publike pritet të arrijnë në 179.8 miliardë lekë në buxhetin 2026, duke shënuar një rritje prej 12.2 miliardë lekësh në raport me Kuadrin Makroekonomik.

Ky ndryshim e çon peshën e shpenzimeve kapitale në 6.5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 6.1% që synohej në planet fillestare. Sipas Ministrisë së Financave rritja e buxhetit për investime mbështetet tërësisht nga burimet e brendshme financiare, të cilat kanë kompensuar edhe rënien e financimit të huaj.

Shtylla kryesore e këtij rishikimi pozitiv është Financimi i Brendshëm, i cili rritet nga 112.4 miliardë lekë në planin fillestar, në 126.8 miliardë lekë në Buxhetin e miratuar, një shtesë prej plot 14.3 miliardë lekësh ose rreth 12.7% më shumë.

Brenda këtij zëri, vlen të theksohet alokimi i ri prej 1 miliard lekësh i dedikuar specifikisht si “Injektim/Kthim kapitali nga AIC (Korporata Shqiptare e investimeve) / BZHSH (Banka Shqiptare për Zhvillim)”, një zë ky që nuk ishte parashikuar në kuadrin e fillim-vitit.

Ndryshe nga burimet e brendshme, Financimi i Huaj ka pësuar një tkurrje me rreth 2.1 miliardë lekë, në buxhetin 2026 ne krahasim me Kuadrin Makro.

Sipas Ministrisë së Financave ky ngadalësim vjen kryesisht si pasojë e fondeve të huaja në sektorin e energjisë, i cili nuk do të mund të alokojë rreth 2 miliardë lekë që ishin parashikuar në Kuadrin Makro. Nga ana tjetër, fondet e lidhura me planin e rritjes së Bashkimit Evropian (New Growth Plan) mbeten 6.8 miliardë lekë në buxhetin 2026 me një rënie e papërfillshme prej 86 milionë lekësh në krahasim me Kuadrin Makroekonomik.

Qeveria ka vendosur të mos ndryshojë fondet e alokuara për procesin e rimëkëmbjes nga tërmeti. Fondi i Rindërtimit mbetet saktësisht në vlerën 5 miliardë lekë (0.2% e PBB-së), i mbështetur plotësisht nga buxheti i shtetit, duke garantuar vijueshmërinë e projekteve pa asnjë devijim.

Ministria e Financave tha se rishikoi me rritje investimet publike në buxhetin 2026, pasi Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) nominal është rivlerësuar me një rritje prej 24.7 miliardë lekësh në buxhetin 2026.

Por teksa fondet për investime vijnë në rritje, dobësitë e qeverisë për realizimin e tyre po thellohen me tej. Shpenzimet kapitale nga buxheti i shtetit ishin vetëm 14.8 miliardë lekë në katër-mujorin e parë 2026, niveli më i ulët që nga 2015

Të dhënat zyrtare tregojnë se, ndërsa nevoja për infrastrukturë është në rritje për shkak edhe të kritereve të integrimit në anën tjetër aftësia e shtetit për të realizuar investime kapitale ka rënë në nivele alarmante, duke u lidhur drejtpërdrejt me skandalet e mëdha korruptive që kanë përfshirë institucionet kryesore shqiptare që janë mandatuar për të tu kujdesur për infrastrukturën kritike të vendit./ Monitor/