Shifrat alarmante të turizmit shqiptar - Turistë byreku dhe ujra të ndotur, Çoçoli: Fekalet i kemi…

Turizmi shqiptar ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm mes propagandës së shifrave në rritje dhe një realiteti të hidhur që fshihet pas tyre. Një bisedë e ekspertit Fatos Çoçoli me moderatori Flavio Qarri në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv, u shndërrua në një debat që nxori në pah anën e errët të sezonit veror, duke filluar nga profili i ulët i vizitorëve e deri te skandalet mjedisore me ujërat e zeza që derdhen në det.

Sipas analizave të ekspertëve, numri real i turistëve të mirëfilltë është të paktën 50% më i ulët se shifrat e fryra që raportohen rëndom, ndërsa vizitorët e nivelit të lartë, që shpenzojnë qindra euro në ditë, mbeten një iluzion i kufizuar në pak resorte.

Por goditja më e madhe për imazhin e vendit nuk vjen nga xhepat e zbrazët të turistëve, por nga ndotja e frikshme e bregdetit. Raportimet e fundit nga Agjencia Europiane e Mjedisit kanë konfirmuar një situatë thuajse katastrofike: nga qindra pika larjeje të monitoruara, vetëm 16% e plazheve shqiptare morën vlerësimin "shkëlqyeshëm". Pjesa tjetër dërrmuese përballet me probleme të rënda ndotjeje.

Kjo situatë alarmante u vu në qendër të vëmendjes, sidomos pas rasteve si ai i plazhit të Potamit në Himarë, ku ndotja e ujit ka detyruar pushuesit të mos lahen dot, pavarësisht ftohtësisë karakteristike të atij bregdeti.

Flavio Qarri: Për të pasur shifra në atë këndvështrimin. Çoçoli, si e sheh verën e 2026-ës në shifra duke lexuar edhe vitet e shkuara?

Fatos Çoçoli: Atëherë duke ju dhënë pak dhe përgjigje pyetjes së parë, që bëre, lidhur me qenien dakord apo jo të insertit. Inserti ishte shumë real. Ju përgëzoj për atë insert që kishit përgatitur. Nuk jam dakord vetëm me dy momente të tij, kur thuhej që ne kemi turistë të huaj që marrin bukë me vete. Është e pamundur, sepse ndryshe turistët e huaj që shohim në rrugët tona dëndur do t'i kishim me frigorifer me vete se ushqimi të prishet, sidomos gjatë verës, në ato temperatura të larta.

Kështu që gjykoj Flavio se turistë të huaj kemi shumë, me ritëm të lartë, 5-6% është në tërësi vizitorë të huaj. Nuk është se i kemi turistë të mirëfilltë të huaj aq. Në gjykimin tim duhet të zbresim me 50% të paktën, të jemi diku aty realisht te 5-6 milionë. Dhe për shpenzim në ditë e kemi në nivelin më të ulët në rajon. Pra na e kalon edhe Maqedonia e Veriut. Edhe për numër të qëndrimit të ditë-natë, si të thuash, që një turist shpenzon këtu tek ne. Janë shifrat reale. Pra jemi në rritje, por nga ana tjetër duhet të shikojmë realitetin në sy. Kemi një turist të byrekut, pra nuk kemi një turist të nivelit të lartë që të arrijë të shpenzojë brenda ditës 600, 700 deri në 1000 euro. Dhe sikurse e tha dhe zoti Topuzi, kemi shumë pak situata, një disa resorte të vendit, pra grupime hotelesh dhe shërbimesh të tjera turistike që janë në nivele të larta. Këtë ne duhet se s'bën domethënë ta konsiderojmë si sfidë. Dhe prandaj e mirëpres idenë e këtyre dy projekteve që i di, i dashur Flavio, aq shumë të anatemuara nga gjigantët e informacionit kudo në botë sot për hir të asaj që janë kritikë me familjen e presidentit Trump. Kështu që uroj që ato 5.4 miliardë...

Flavio Qarri: Si kaluam, edhe një herë më fal, si kaluam te Trumpi nga fekalet në mes të plazhit?

Fatos Çoçoli: Atëherë e drejtë pyetja. Fekalet i kemi. Jemi ndoshta vendi në nivel të rajonit turistik më pak i pastër. Kemi filluar të pastrojmë edhe atë situatën rreth resorteve tona, por ama të kesh parasysh, kemi filluar të pastrojmë...

Flavio Qarri: Ku ke filluar të pastrosh? Një sekondë, një sekondë. Ku ke filluar të pastrosh Çoçoli? Çoçoli, ku po pastrojmë?

Fatos Çoçoli: Me 1435 bujtinat që nuk e kanë lënë më atë...

Flavio Qarri: Çoçoli, më the që po pastrojmë plazhet, më thuaj një projekt për heqjen e fekaleve nga deti që po implementohet në këto momente.

Fatos Çoçoli: Nuk e di nëse ka projekt, sepse s'ka fekale, por ama për kanalizimet e ujërave të zeza, di që ka shumë projekte. Mund të të jap edhe shifrat e këtyre projekteve në shumë bashki bregdetare. Prandaj dakord, ende kemi fekale, por nuk është se të vjen era fekale në çfarëdo kilometri të 400 kilometrave të bregdetit tonë…

Flavio Qarri: Statistika e fundit thoshte që 86% e bregut tonë është i ndotur.

Fatos Çoçoli: Jo nuk besoj se është aq...