Frikë nga arratisja, FNSH dhe RENEA marrin në ruajtje Ilir Selmanin, njërin nga të dyshuarit për vrasjen e Santiagos

Nga Elton Qyno – Syri.net/

Një trupë shërbimi e repartit RENEA dhe Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), ka marrë në ruajtje, Ilir Selmanin, i cili 6 ditë më parë u lirua nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit në fazën e gjykimit.

Frika e një arratisje të mundshme të tij, ka çuar SPAK-un të kërkojë masa shtesë të sigurisë në shtëpinë e Ilir Selmanit. Një trupë shërbimi e Repartit Special RENEA dhe FNSH, qëndrojnë 24 orë në ruajtje të Selmanit, i cili prej 1 jave është vënë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Në rast se Ilir Selmani dënohet në Gjykatën e Apelit, ai menjëherë kthehet në burg. Ndaj RENEA dhe FNSH, prej 1 jave vijon ruajtjen 24 orë, duke shmangur një arratisje të mundshme.

Kujtojmë se gjatë gjykimit në shkallën e parë, Ilir Selmani, është dënuar me 26 vite burgim për akuzën e vrasjes kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Selmani, akuzohet si njëri nga autorët e vrasjes së ish-policit, Santiago Malko, në gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Në 19 qershor 2026, Apeli i GJKKO-së ka pranuar kërkesën e të pandehurit duke konstatuar humbjen e fuqisë së masës “Arrest në burg” për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.

Paralelisht me këtë çështje, Ilir Selmani, është i pandehur dhe nga prokuroria e Elbasanit, për akuzën e “Futjes së sendeve të palejuara në burg” pasi SHKB-ja e burgjeve gjatë kontrollit në burg i kapi një aparat telefon.