A është El Niño shkaku i valës së të nxehtit në Evropë? Shkencëtarët flasin për keqinterpretim

Evropa Perëndimore po përjeton këto ditë temperatura të paprecedenta, me Francën që raporton edhe viktima dhe Britaninë, zakonisht të freskët, që po përgatitet për “net tropikale”.

Vala e të nxehtit është lidhur nga disa media me fenomenin “super El Niño” në Oqeanin Paqësor, por sipas klimatologëve kjo lidhje është shkencërisht e pasaktë dhe e zhvendos vëmendjen nga shkaku i vërtetë: përdorimi i vazhdueshëm i lëndëve djegëse fosile.

Evropa Perëndimore pritet të vazhdojë të përballet me këtë situatë të paktën deri në fund të javës, me Francën që ka vendosur gjysmën e rajoneve në alarm të kuq. Të paktën 40 persona janë mbytur në det dhe lumenj në një vend ku ajri i kondicionuar nuk është i përhapur gjerësisht.

Në Mbretërinë e Bashkuar, shërbimi meteorologjik (Met Office) ka lëshuar paralajmërim të kuq për valë të nxehti në Anglinë qendrore dhe jugore dhe në Uells. Temperaturat pritet të kalojnë 39°C dhe të sjellin “net tropikale”, ku temperatura nuk bie nën 20°C.

“El Niño është një shpërqendrim”

Vala e të nxehtit erdhi pak ditë pasi Administrata Amerikane e Oqeaneve dhe Atmosferës shpalli fillimin e fenomenit El Niño, i cili karakterizohet nga ngrohja e ujërave sipërfaqësore në pjesën lindore të Paqësorit.

Agjencia parashikon se ekziston një probabilitet i lartë që ky El Niño të jetë ndër më të fortët që nga viti 1950.

Edhe pse El Niño ndikon në rritjen e temperaturës mesatare globale dhe sjell reshje e përmbytje në disa rajone të botës, për Evropën ndikimi i tij është i kufizuar, pasi moti i kontinentit ndikohet më shumë nga Oqeani Atlantik.

“Paqësori nuk është aktualisht në një fazë të fortë El Niño dhe edhe kur është, ndikimi i tij i drejtpërdrejtë në nxehtësinë e verës në Evropë është i dobët dhe i paqartë”, deklaroi për Euronews meteorologia Ioanna Vergini, themeluese e platformës WYF24.

Sipas meteorologëve, shkaku i drejtpërdrejtë i valës së të nxehtit është një masë ajri e nxehtë që vjen nga Afrika dhe mbetet e bllokuar mbi Evropën Perëndimore.

“Kemi të bëjmë me një bllokim klasik të rrymës ajrore (jet stream), mbi një sfond temperaturash rekord. ‘Kupola e nxehtësisë’ është mekanizmi; ngrohja afatgjatë e planetit është faktori që e forcon; El Niño është një shpërqendrim”, tha Vergini.

Evropa po ngrohet

Edhe pse është e vështirë të lidhet një valë specifike të nxehti drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, është e qartë se ngrohja globale po rrit intensitetin dhe shpeshtësinë e fenomeneve ekstreme.

Evropa është një nga kontinentet që po ngrohet më shpejt, me temperatura që rriten dy herë më shpejt se mesatarja globale. Ndër shkaqet kryesore janë afërsia me Arktikun, ku shkrirja e akullit ul reflektimin e rrezatimit diellor, si dhe Mesdheu, që konsiderohet një nga zonat më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Siç ka deklaruar më herët klimatologia Friederike Otto nga Imperial College London, “El Niño është një fenomen natyror që vjen dhe ikën”.

“Ndryshimet klimatike, përkundrazi, përkeqësohen sa më shumë që djegim lëndë fosile. Prandaj ato janë arsyeja për të cilën duhet të shqetësohemi realisht.”