Greva e parë kundër robotëve: 30 mijë punonjës kundër futjes së humanoidëve në fabrikë
Kur në vitin 2021 Hyundai bleu për 11 miliardë dollarë Boston Dynamics, robotët ishin kryesisht figura të filmave fantastiko-shkencorë.
Pesë vite më vonë, këto makina me pamje njerëzore janë në gjendje të bëjnë akrobaci, kërcime, sport dhe mbi të gjitha të punojnë. Për këtë arsye, mbi 30 mijë punonjës të Hyundai janë gati të hyjnë në grevë kundër vendimit të kompanisë për të futur rreth 30 mijë robotë humanoidë Atlas në fabrikën amerikane në Savannah, Georgia.
Greva është miratuar nga 87% e 40 mijë anëtarëve të përfaqësisë sindikale të Hyundai. Qëllimi i protestës është të sigurohet një përfshirje më e madhe e punonjësve në vendimet për adoptimin e inteligjencës artificiale dhe robotëve nga kompania. Punonjësit janë të gatshëm të vendosin edhe piketa për të bllokuar hyrjen e “kolegeve” të rinj robotikë.
“Pa një marrëveshje mes menaxherëve dhe punëtorëve, asnjë robot nuk do të lejohet të hyjë në fabrikë”, deklaroi sindikata e metalpunuesve në Korenë e Jugut.
Hyundai ka siguruar se robotët humanoidë do të kryejnë vetëm detyra të përsëritura, të rrezikshme dhe të lodhshme, nga të cilat është më mirë që punëtorët njerëzorë të kursehen. Por sindikatat janë të shqetësuara se, me kalimin e kohës, robotët Atlas mund të bëhen gjithnjë e më të aftë edhe në detyra më komplekse dhe se Hyundai mund të përfundojë duke zëvendësuar punëtorët me robotë që nuk flenë, nuk shkojnë me pushime, nuk hanë dhe nuk bëjnë grevë.
Përveç përfshirjes në vendimmarrjet për AI dhe robotikën, punonjësit e Hyundai kërkojnë të marrin pjesë edhe në fitimet që kjo revolucion teknologjik pritet të gjenerojë. Ata kërkojnë një bonus të jashtëzakonshëm prej 30% të fitimeve neto të kompanisë, i cili nëse pranohet do të përkthehej në rreth 25 mijë euro për secilin nga 73 mijë punonjësit e kompanisë koreano-jugore.
Kjo kërkesë ngjan me atë të punonjësve të çipave në Samsung dhe SK Hynix, të cilët pas kërcënimit me grevë të gjatë kanë marrë një bonus prej mbi 400 mijë dollarësh secili. Një shpërblim masiv që Banka Qendrore e Seulit frikësohet se mund të nxisë protesta të tjera dhe një spirale rritjeje pagash që mund të sjellë inflacion.