Vrasja e 74-vjeçarit në Kavajë, zbardhen detaje të reja nga konflikti mes dy vëllezërve

Detaje të reja kanë dalë në lidhje për sa i përket ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Agonas të Kavajës, ku si pasojë e një konflikti mes dy vëllezërve ka humbur jetën njëri prej tyre, shtetasi E. Rreshka., 74-vjeç.

Sipas raportimeve, viktima kishte shkuar për të marrë dengje bari me zetor në arë, ku pasi i kishte ngarkuar, gjatë kthimit ishte takuar me vëllain e tij më të madh, shtetasin M. Rr., 76 vjeç, autori i vrasjes. Burimet bëjnë me dije se 76-vjeçari i kishte thënë vëllait të mos kalonte në atë rrugë, ndërsa ky i fundit e kishte shtyrë me zetor.

Pas konfliktit verbal, 76-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllain e tij 3-4 herë. Ndërkohë, nga burimet mësohet se autori ka shprehur pendesë pas ngjarjes. Gjithashtu, ai ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në fshatin Agonas, ku dy vëllezërit ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë.

I plagosuri u transportua menjëherë për ndihmë mjekësore, por për shkak të plagëve të marra nuk mundi të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital.