Qytetarët pushtojnë rrugët e Tiranës me këngë patriotike dhe thirrje: Rama jepe dorëheqjen dhe poshtë...

Mijëra qytetarë kanë dalë sërish në rrugët e kryeqytetit, pas fjalimeve para Kryeministrisë ku përsëritën edhe njëherë 5 pikat e panegociueshme në ditën e 25-të të protestave antiqeveritare që po zhvillohen prej javësh në Tiranë.

Protestuesit kanë marshuar në bulevard dhe në disa prej akseve kryesore të qytetit, duke vijuar me thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Nuk ka bisedime”.

Gjatë marshimit janë dëgjuar edhe këngë me përmbajtje patriotike, mes tyre “Shqipërinë e dua se jam shqiptare” dhe “Kosovën e dua se jam kosovar”, ndërsa turma ka vijuar të lëvizë e bashkuar në formë proteste.

Tubimi i sotëm vjen si vazhdim i një serie protestash të pandërprera, që sipas pjesëmarrësve synojnë të rrisin presionin politik dhe të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Protestat kanë qenë të shtrira kryesisht në qendër të Tiranës dhe janë shoqëruar me pjesëmarrje masive qytetarësh.

Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.