Reshje të dendura shiu përfshijnë Korçën, vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin Korçë-Pogradec

Qarku i Korçës është përfshirë nga reshje të dendura shiu mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor në disa zona.

Siç shihet edhe nga pamjet, reshjet intensive kanë krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pasi një pjesë e trupit të rrugës është mbuluar nga uji.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo bllokim të plotë të qarkullimit, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë segment.

Ende nuk dihet nëse reshjet kanë shkaktuar dëme në sektorin e bujqësisë. Për vlerësimin e situatës pritet që grupet e punës të zbresin në terren, ku do të verifikojnë pasojat e motit të keq dhe dëmet e mundshme në zonat e prekura.

Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa moti i paqëndrueshëm vijon të mbajë nën ndikim qarkun e Korçës.