Të pamposhtur nga shiu, protestuesit brohorasin: “O Erion o legen, prite Ramën se po vjen”

Protesta kundër kryeministrit Edi Rama ka vijuar edhe sot, në ditën e 25-të radhazi, duke treguar se moti i keq nuk ka arritur të zbehë vendosmërinë e qytetarëve të mbledhur përballë Kryeministrisë.

Pavarësisht reshjeve të shiut, mijëra protestues kanë qëndruar në shesh, ndërsa një pjesë e tyre janë strehuar nën strehët e godinave përballë selisë së qeverisë. Edhe në këto kushte, atmosfera e protestës ka mbetur e ndezur, me brohoritje dhe thirrje të vazhdueshme kundër qeverisë.

Një nga thirrjet që është dëgjuar më shpesh nga turma ka qenë: “O Erion o legen, prite Ramën se po vjen”, slogan që është shoqëruar me duartrokitje dhe ovacione nga protestuesit.

Tubimi ka vijuar pa ndërprerje, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Edhe reshjet e shiut nuk kanë mjaftuar për të shpërndarë turmën, e cila ka vijuar të qëndrojë përballë Kryeministrisë duke përsëritur thirrjet kundër kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.