Brazili në pritje të Neymar-it, rikthehet fenomeni ‘NeyDay’ në rrjetet sociale
E gjithë vëmendja në Brazil është përqendruar te Neymar, i cili mund të bëjë paraqitjen e tij të parë në Botërorin 2026 në ndeshjen e ardhshme të kombëtares braziliane.
Pas shkëlqimit të yjeve si Cristiano Ronaldo, i cili realizoi dy gola ndaj Uzbekistanit, tifozët brazilianë presin momentin e Neymar-it, një prej futbollistëve më të shumëpritur të këtij Botërori.
Sulmuesi brazilian u grumbullua nga trajneri Carlo Ancelotti mes entuziazmit të madh të tifozëve, por nuk ka mundur të kontribuojë në dy ndeshjet e para për shkak të një dëmtimi. Tashmë ai është rikuperuar dhe Ancelotti ka konfirmuar se lojtari është në dispozicion për sfidën e radhës.
Vetëm mundësia e rikthimit të tij ka mjaftuar për të ndezur entuziazmin në Brazil. Në rrjetet sociale është rikthyer në trend etiketa #NeyDay, e cila prej vitesh shoqëron momentet më të rëndësishme të karrierës së Neymar-it.
Fenomeni #NeyDay lindi në verën e vitit 2020, kur Neymar luante për Paris Saint-Germain. Gjatë fazës finale të Ligës së Kampionëve, tifozët organizuan një fushatë masive mbështetjeje për brazilianin, i cili në atë periudhë ishte objekt kritikash të shumta.
Edhe këtë herë, mijëra përdorues kanë ndryshuar fotografitë e profilit me imazhe të vjetra të Neymar-it, veçanërisht ato me modelin e famshëm të flokëve “mohawk”, duke treguar mbështetjen e tyre për rikthimin e yllit brazilian.
Tani mbetet vetëm të shihet nëse #NeyDay do të shoqërohet edhe me rikthimin në fushë të Neymar-it, i cili synon të lërë gjurmën e tij në atë që mund të jetë Botërori i fundit i karrierës së tij.