Antetokounmpo dhe Adebayo shfaqen së bashku pas transferimit të madh te Miami Heat

‘Ylli’ grek i NBA-së, Giannis Antetokounmpo, është parë për herë të parë në publik me shokun e tij të ri të skuadrës, Bam Adebayo, pas transferimit të bujshëm te Miami Heat.

Dy basketbollistët ndoqën nga afër ndeshjen e WNBA-së mes Las Vegas Aces dhe New York Liberty në Nevada. Antetokounmpo ishte i pranishëm së bashku me familjen e tij për të mbështetur Aces, ku luan partnerja e Adebayo-s, A'ja Wilson. Megjithatë, Las Vegas u mposht me rezultatin 87-76.

Po atë ditë u bë publik edhe shkëmbimi i madh mes Miami Heat dhe Milwaukee Bucks. Bucks dërguan Antetokounmpon dhe Bobby Portis në Miami, ndërsa në drejtim të Milwaukee-t kaluan Tyler Herro, Jaime Jaquez Jr., Kel'el Ware, Kasparas Jakučionis dhe pesë zgjedhje të ardhshme në draft.

Edhe pse marrëveshja do të zyrtarizohet më 6 korrik, ajo i jep fund sagës së gjatë të largimit të dy herë MVP-së nga Milwaukee.

Antetokounmpo dhe Adebayo, miq të ngushtë edhe jashtë parketit, pritet të udhëheqin Miami Heat në sezonin e ardhshëm, me objektivin për ta rikthyer ekipin në fazën play-off pas mungesës së sezonit 2025-26. Giannis e mbylli sezonin e kaluar me mesatare prej 27.6 pikësh, 9.8 kërcimesh dhe 5.4 asistesh për ndeshje, pavarësisht problemeve me dëmtimet.