Sassuolo siguron të ardhmen talentit shqiptar, firmos deri në vitin 2030

Një nga talentët më premtues të futbollit shqiptar, Gabriel Kulla, do të vazhdojë karrierën e tij me Sassuolon. Klubi italian ka vendosur t’i besojë plotësisht sulmuesit kuqezi, duke i rinovuar kontratën për një periudhë afatgjatë.

Sassuolo ka bërë të ditur se Kulla ka firmosur një marrëveshje të re që do ta mbajë të lidhur me klubin deri më 30 qershor 2030. Ky është një tregues i qartë i besimit që drejtuesit kanë ndaj potencialit të sulmuesit të ri, i cili konsiderohet një nga asetet më të rëndësishme të akademisë.

Futbollisti që përfaqëson Shqipërinë U-19 ka spikatur veçanërisht gjatë sezonit të fundit me ekipin Primavera të Sassuolos. Me 16 gola dhe 8 asistime në kampionatin italian për të rinjtë, ai u shndërrua në një nga protagonistët kryesorë të turneut.

Paraqitjet e tij të shkëlqyera u shpërblyen edhe me çmimin “Primavera Best Awards 2026”, ku u vlerësua si sulmuesi më i mirë i kampionatit.

I lindur në vitin 2008, Kulla ka kaluar tri sezone në radhët e Sassuolos dhe progresi i tij i vazhdueshëm ka bindur klubin se ai mund të ketë një rol të rëndësishëm edhe në të ardhmen me ekipin e parë.

Me kontratën e re, Sassuolo ka larguar çdo dyshim për të ardhmen e sulmuesit shqiptar, duke siguruar shërbimet e një prej talenteve më të spikatura të brezit të tij dhe duke konfirmuar besimin e madh që ka te zhvillimi i tij.