VIDEO/ Tela: Shqipëria laborator kullash e resortesh, oligarkët blenë tokat sepse e dinin paraprakisht se do të ndërtohej
Gazetari Andi Tela, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ngriti dyshime të forta mbi mënyrën se si është zhvilluar strategjia e ndërtimit në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit, duke e cilësuar vendin si një eksperiment gjigant urbanistik që ka shtrirë kullat dhe resortet nga Tirana deri në skajet më të largëta të vijës bregdetare.
Sipas Telës, ideja për transformimin e Shqipërisë përmes kullave nuk është një zhvillim i rastësishëm apo i kohëve të fundit, por një projekt që e ka zanafillën vite më parë.
Sipas tij, ndërtuesve të mëdhenj në Tiranë u është kërkuar prej kohësh të bashkëpunojnë me studio të huaja arkitekturore për të siguruar miratimin e projekteve.
Ai ndaloi veçanërisht te rasti i Zvërnecit, duke e konsideruar atë si një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si është zhvilluar skema e investimeve në bregdet. Sipas gazetarit, zona të mbrojtura që teorikisht nuk mund të zhvilloheshin janë kthyer gradualisht në objekt interesi për kompani dhe biznesmenë të fuqishëm shqiptarë.
Tela argumentoi se blerjet masive të tokave në bregdet nuk janë rezultat i rastësisë, por i informacionit të privilegjuar për projektet që do të vinin më pas. Sipas gazetarit, ajo që dikur konsiderohej një vijë bregdetare pa interes ekonomik, e frekuentuar vetëm nga banorët vendas, u kthye me kalimin e viteve në objekt garash të forta mes grupeve të biznesit.
‘Në pamje të parë edhe po të duash ta quash një eksperiment të madh, nuk i jep dot përgjigje. Arsyeja është pse. Pra mund të mbledhësh studiot më të mira të arkitekturës në Evropë edhe në botë, edhe të thuash ‘Ok, hajdeni kjo është Shqipëria, gjeni njolla këtu dhe shfreni fantazinë tuaj.’ Edhe mund ta bëjnë...
Edhe mund ta bëjnë, edhe mund të qëndrojë atje për t'u shfletuar, apo ndoshta për t'u përdorur. Por e gjitha kjo, nuk është se ndodhi tani sot. E ka bazën vite më parë. Pra, e gjithë kjo ideja e kullave në Tiranë, është një ide e kryeministrit. Të ndërtojmë kullat.
Të ndërtojmë kullat që në planin francez të famshëm që do rrethohej qendra me kulla të larta, e më tej prapë në plane të hershme. Pyetja ndodh, si u përhap në të gjithë territorin shqiptar, në të gjithë vijën bregdetare, duke futur këtu edhe Pogradecin nga ana tjetër?
Ne e dimë shumë mirë që disa prej ndërtuesve më të mëdhenj në Tiranë, u është thënë që kontaktoni x arkitekt, ose më gjeni një arkitekt të huaj, sillni projektin nga një studio e huaj, që ajo të marrë një vlerë. Dhe kanë shkuar me projekte me kulla gjigante, vetëm sepse janë firmosur nga arkitektë të huaj, dhe për atë kanë marrë edhe lejen e ndërtimit.
Por, kjo bëhet gjithmonë interesante pas historisë së Zvërnecit. Pra, Zvërneci, duke qenë një zonë e peizazhit të mbrojtur, një qytetar, një pronar toke atje, duke e ditur që nuk ndërtohet, ajo dhe prona e tij nuk ka ndonjë vlerë të jashtëzakonshme. Thjesht e ka si pronë atje, por nuk mund ta zhvillojë. Dhe këtu shfaqen personazhet e rëndësishëm të oligarkisë shqiptare.
Pra, ti shkon dhe blen pronat e fshatarëve që mund ta kenë marrë me 7501-shin, pronarët që kanë trashëguar copa-copa prone, dhe nga Darzeza dhe deri në Zvërnec, nëse hipotekat do të zbardhnin pronësinë, do të shohësh që janë sipërfaqe të mëdha, 100 hektarë, 150 hektarë, që janë blerë nga kompani shqiptare, nga biznesmenë shqiptarë, nga oligarkët shqiptarë.
Dhe kjo nuk mund të jetë, duke e ditur që ti këtë pronë nuk mund ta zhvillosh, nuk ke arsye ta blesh. Por ti e ke ditur përpara që kjo pronë do të zhvillohet. Ty të është thënë që të shkosh në një studio të huaj dhe të marrësh një projekt për atë zonë. Dhe kjo i jep përgjigje edhe përplasjeve që ka pasur mes oligarkëve për prona të mëdha në bregdetin e Fierit dhe poshtë. Pra, nëse dikur nga zona e Darzezës poshtë nuk mendohej, mund të ishte plazh për fshatin, ose për atë zonë të qytetit, por ka qenë një pjesë e padëgjuar dhe askush ndoshta nuk kishte interesin për të shkuar për të bërë plazh atje, ndoshta vetëm banorët e zonës.
Me kalimin e viteve, ne pamë që pjesë të mëdha të asaj zone filluan të bliheshin nga oligarkët shqiptarë, sepse ata e dinin, kishin marrë ‘ok-in’ që atje do të ndërtohet. Dhe që të ndërtohet atje duhet të porosisësh në një studio të huaj, dhe studiot e huaja të bëjnë gati projektin. Dhe e gjithë kjo përpjekje gjigante tashmë është mbledhur në një libër, i cili do të përbënte çudi mënyra sesi ka dalë, se mund të dilte nga zyrat e SPAK-ut. Pra zyrat e SPAK-ut duhet t'i kishin mbledhur gjithë këtë informacion dhe ta bënin një libër.’, tha gazetari Andi Tela ndër të tjera në SYRI TV.