Schweinsteiger, në qendër të polemikave pas deklaratës për futbollin afrikan
Bastian Schweinsteiger është duke u përballur me kritika të shumta pas një deklarate të bërë gjatë një transmetimi televiziv të Kupës së Botës, ku ai komentoi stilin e lojës së Bregut të Fildishtë në një mënyrë që është konsideruar e papërshtatshme dhe fyese.
Ish-mesfushori i Gjermanisë, aktualisht komentator për televizionin ARD, po analizonte ndeshjen mes Gjermanisë dhe Bregut të Fildishtë kur përdori shprehjen “futboll afrikan”, duke e përshkruar atë si “ndonjëherë jo ortodoks, pak i egër dhe jo shumë taktik”.
Pikërisht fjala “i egër” (“selvagem”) ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale. Shumë analistë dhe përdorues e kanë cilësuar këtë përshkrim si të ngarkuar me stereotipe raciste dhe kolonialiste kur përdoret për të përshkruar skuadrat afrikane.
Deklarata e Schweinsteiger, kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014, është bërë menjëherë temë diskutimi në mediet gjermane, ku është kritikuar mungesa e një reagimi apo kërkim-faljeje nga ana e tij pas incidentit.
Po ashtu, edhe televizioni ARD ka zgjedhur të mos ndërmarrë masa disiplinore ndaj ish-lojtarit të Bayern Munich dhe Manchester United, duke e lënë situatën të hapur për debat të mëtejshëm në opinionin sportiv dhe mediatik.