Dubravka te Tottenhami, De Zerbi përforcohet në portë, çfarë ndodh me Vicario-n?

Tottenham Hotspur ka zyrtarizuar afrimin e portierit sllovak, Martin Dubravka, i cili vjen si transferim i lirë pas përfundimit të kontratës me Burnley-n.

Lajmi është konfirmuar nga klubi londinez përmes një komunikate zyrtare, duke bërë të ditur se 37-vjeçari ka firmosur një kontratë të re dhe i bashkohet projektit të Tottenhamit për sezonin e ardhshëm.

Në deklaratën e tij të parë si lojtar i Spurs, Dubravka u shpreh entuziast për këtë hap të ri në karrierë. Ai theksoi se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe se është i lumtur që i jepet mundësia të luajë për një klub të madh të Premier League.

“Është një moment emocionues për mua, një rrugëtim i ri për mua dhe familjen time. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe jam shumë i lumtur që jam këtu”, deklaroi portieri sllovak.

Ai gjithashtu vlerësoi projektin teknik dhe stilin e lojës të trajnerit Roberto De Zerbi, duke theksuar se e njeh filozofinë e tij dhe e konsideron Tottenhamin një nga klubet më të mëdha të Anglisë.

“Kam ndjekur ekipet e tij prej vitesh dhe e njoh mirë stilin dhe vizionin e tij. Tottenham është një nga klubet më të rëndësishme të Premier League dhe mezi pres të filloj”, shtoi ai.

Afrimi i Dubravkës pritet të ketë pasoja edhe në portën e skuadrës, pasi hap rrugën për largimin e mundshëm të Guglielmo Vicario, i cili prej kohësh është përfolur për një transferim.

Sipas zhvillimeve të fundit, ish-portieri i Empolit mund të rikthehet në Serie A, duke mbyllur kështu aventurën e tij në Premier League pas vetëm një sezoni.

Tashmë mbetet për t’u parë se si do të evoluojë situata në portën e Tottenhamit, ku konkurrenca dhe lëvizjet e fundit mund të sjellin ndryshime të rëndësishme në projektin e ri të klubit londinez.