VIDEO-‘The Albanian Files’/ Gazetari Kadiu: Shqipëri kullash dhe resortesh, shumë studio fshehin investitorët

Gazetari Lorin Kadiu, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka ngritur shqetësime serioze mbi mungesën e transparencës që shoqëron projektet e mëdha arkitekturore në Shqipëri, duke folur për një panoramë që sipas tij po e shndërron vendin në një ‘Shqipëri kullash dhe resortesh’.

Duke iu referuar librit ‘The Albanian Files’, Kadiu sqaroi se bëhet fjalë për rreth 523 projekte të dokumentuara, ku përfshihen si projekte publike, ashtu edhe projekte të paraqitura në konkurse ndërkombëtare që nuk janë realizuar.

Sipas gazetarit, analiza e tij ka nxjerrë në pah një element shqetësues: disa nga studiot më prestigjioze që operojnë në Shqipëri nuk kanë bërë publikë investitorët apo porositësit e projekteve.

Sipas Kadiut, prej vitesh ekzistojnë pikëpyetje të shumta mbi mënyrën se si është rikonstruktuar objekti dhe mbi fondet e përdorura për të.

‘Në fakt është e gjithë Shqipëria. Unë do të doja të bëja një saktësim aty. Ka rreth 523 projekte.

Një pjesë e tyre janë projekte publike, një pjesë e tyre janë projekte që kanë aplikuar në konkurse të ndryshme dhe nuk kanë fituar, por secila nga studiot ka qenë e lirë për të bërë transparencë mbi projektet që ushtron në Shqipëri.

Dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse nga analiza ime kam dalë në përfundimin që shtatë nga studiot nuk i kanë përmendur fare investitorët edhe ata që i kanë komisionuar për t'i bërë këto projekte.

Një pjesë e tyre mbase nuk realizohen kurrë, por ajo që unë arrita të shikoj në një panoramë të përgjithshme ishte patjetër një Shqipëri kullash edhe resortesh, të mund ta them.

Po, është edicioni i dytë i festivalit. Ne në Citizens kemi raportuar dhe më parë edhe për hapësirën ku ky festival zhvillohet, që tanimë është qendra e fondacionit Bukë e Zemër.

Edhe për mënyrën se si është rikonstruktuar ai objekt, me tendera me procedurë sekrete si pjesë e sigurisë kombëtare.

Pra ne prej kohësh përpiqemi të hulumtojmë dhe kemi dërguar dhjetëra kërkesa për informacion tek institucionet tona për të kuptuar çfarë është kjo vilë, pse po rindërtohet, pse po shpenzohet kaq shumë, pse Bofill Arquitectura ka sjellë një projekt falas për këtë vilë dhe emrin aty e ka dikush tjetër.

Pra është një tymnajë shumë e madhe do të thoja, mungesë transparence dhe informacioni përsa i përket të gjithë organizimit që është festivali.

Patjetër, sepse libri ka nga një kapitull që secili nga arkitektët apo studiot e arkitekturës tregon si është njohur me Shqipërinë. Nga ato që kam arritur unë të lexoj, se informacioni është pafund, janë 800 faqe, një pjesë shumë e madhe janë në Shqipëri për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë ose ftesave të kryeministrit, ose njohjes me të që në kohën kur ka qenë kryetar bashkie. Kështu që çdokush tregon eksperiencën me kryeministrin në atë libër, jemi tek sedra e shqiptarëve do të thoja’, tha gazetari Lorin Kadiu në SYRI TV.