Bellingham mbuloi gojën gjatë bisedës me Ayew, por nuk u ndëshkua me karton të kuq, ja arsyeja
Një fotografi e mesfushorit të Anglisë dhe të Real Madridit, Jude Bellingham, duke mbuluar gojën teksa fliste me futbollistin e Ganës, Jordan Ayew, ka shkaktuar debat gjatë Botërorit 2026.
Kjo pasi në këtë edicion të Kupës së Botës është futur një rregull i ri, sipas të cilit një lojtar mund të ndëshkohet me karton të kuq nëse mbulon gojën gjatë një komunikimi me kundërshtarin në rrethana të caktuara.
Ky rregull u mbështet nga presidenti i FIFA, Gianni Infantino, pas incidentit që përfshiu futbollistin e Benfica, Gianluca Prestianni, i cili u pezullua nga UEFA për gjashtë ndeshje për fyerje homofobe ndaj Vinícius Júnior gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve.
Lojtari i parë që u përjashtua sipas këtij rregulli ishte Miguel Almirón i Paraguait, pas një episodi në ndeshjen kundër Turqisë që u rishikua me ndihmën e VAR-it.
Megjithatë, në barazimin 0-0 mes Anglisë dhe Ganës, Bellingham nuk u ndëshkua. Arsyeja lidhet me kontekstin e bisedës. Para fillimit të turneut, kreu i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, kishte sqaruar se lojtarët mund të vazhdojnë të mbulojnë gojën kur zhvillojnë biseda normale dhe miqësore me kundërshtarët apo shokët e tyre.
Sipas Collina-s, problemi lind vetëm kur komunikimi është konfliktual ose përfshin sjellje të papranueshme. Në këto raste, mbulimi i gojës mund të konsiderohet përpjekje për të fshehur fjalë fyese ose diskriminuese, çka mund të çojë deri te kartoni i kuq.
Prandaj, gjyqtarët nuk panë asnjë element problematik në bisedën mes Bellinghamit dhe Ayew, duke vlerësuar se bëhej fjalë për një komunikim normal dhe jo për një përplasje verbale që do të kërkonte ndërhyrje disiplinore.