Ochoa gati për ‘vallëzimin e fundit’, legjenda e Meksikës mund të luajë ndeshjen e lamtumirës me kombëtaren

Në historinë e Meksikës ka pasur figura të mëdha që janë kthyer në simbole kombëtare, nga Cuauhtémoc te Benito Juárez e Pancho Villa. Sot, një nga emrat më të dashur për meksikanët është ai i portierit legjendar Guillermo Ochoa, i cili është gati të përjetojë emocionet e ndeshjes së fundit me fanellën e kombëtares.

Mbrëmjen e sotme, para tifozëve të tij në Mexico City, Ochoa mund të zhvillojë paraqitjen e 154-t me përfaqësuesen meksikane. Në moshën pothuajse 41-vjeçare, ai pritet të përshëndetet me “Tricolor”, duke mbyllur një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.

Rrugëtimi i tij në Kupat e Botës nisi në vitin 2006, kur u grumbullua për Botërorin e Gjermanisë, dhe vazhdoi në vitin 2010 në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në të dy turnetë ai nuk luajti asnjë minutë. Debutimi i tij në një Botëror erdhi në Brazil, më 13 qershor 2014, në fitoren 1-0 ndaj Kamerunit.

Vetëm katër ditë më vonë, Ochoa hyri në histori. Në Fortaleza, ai zhvilloi një paraqitje spektakolare kundër Brazilit, duke ndalur disa raste të pastra shënimi dhe duke i dhuruar Meksikës një barazim 0-0. Ajo ndeshje e shndërroi në një legjendë të futbollit botëror.

“Ka qenë ndeshja që ma ndryshoi jetën, një pikë kthese në karrierën time”, ka deklaruar Ochoa për FIFA-n.

Portieri me kaçurrelat karakteristike vazhdoi karrierën në Evropë me skuadra si Ajaccio, Malaga, Granada dhe Standard Liezh. Megjithëse nuk u transferua kurrë te një prej klubeve më të mëdha të kontinentit, ai rikthehej gjithmonë në qendër të vëmendjes gjatë Botërorëve.

Në Rusi 2018, ai ishte protagonist në fitoren historike 1-0 ndaj Gjermanisë kampione në fuqi. Katër vite më vonë, në Katar, priti penalltinë e Robert Lewandowski-t në barazimin 0-0 ndaj Polonisë.

Aktualisht Ochoa aktivizohet me AEL Limassol, ndërsa vendin e tij në portën e Meksikës e ka marrë më i riu Raúl Rangel.

Me Meksikën tashmë të kualifikuar në fazën e 1/16-ve dhe të sigurt në vendin e parë të grupit, shumëkush pret që trajneri Javier Aguirre t'i japë mundësinë legjendës të luajë kundër Çekisë.

Edhe shokët e skuadrës kanë kërkuar që kjo të ndodhë. Sulmuesi Alexis Vega e quajti Ochoan “një legjendë dhe një njeri të mrekullueshëm”, ndërsa mesfushori Orbelín Pineda theksoi rëndësinë e tij për të gjithë Meksikën.

Nëse Aguirre do ta aktivizojë, atëherë tifozët do të kenë mundësinë të përshëndesin një nga figurat më ikonike në historinë e futbollit meksikan, një portier që ka lënë gjurmë në gjashtë Botërorë dhe që është kthyer në simbol të një brezi të tërë.