Bisedimet për Ukrainën/ Kremlini: Kontaktet do të rinisin sapo të jenë të disponueshëm të dërguarit amerikanë

Kremlini ka deklaruar se kontaktet mes Moskës dhe Washingtonit lidhur me luftën në Ukrainë, do të rifillojnë sapo emisarët amerikanë të jenë të disponueshëm, pasi aktualisht janë të angazhuar me çështje të tjera.

Në deklaratat për gazetarët gjatë forumit “Primakov Readings” në Moskë, të raportuara nga mediat shtetërore ruse, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia është mirënjohëse ndaj të dërguarit special amerikan Steve Witkoff dhe dhëndrit të presidentit amerikan, Jared Kushner, për përpjekjet e tyre në bisedimet e paqes për Ukrainën dhe i konsideron ato “shumë konstruktive”.

Peskov tha se Rusia e kupton që kontaktet do të vazhdojnë dhe theksoi se emisarët janë të gatshëm të dëgjojnë të gjitha palët, gjë që ai e përshkroi si diçka që aktualisht “vlen shumë”.

“Natyrisht, ata janë aktualisht të zënë me çështje të tjera, por në një moment do të lirohen dhe ne presim që kontaktet të vazhdojnë”, shtoi ai.

Witkoff dhe Kushner gjatë fundjavës ishin në Zvicër për negociatat e së dielës me zyrtarët iranianë.

Përpara nisjes drejt Zvicrës të shtunën, zv/presidenti amerikan JD Vance, i cili mori pjesë në bisedime, tha se emisarët amerikanë tashmë ndodheshin në terren për të trajtuar “elementet teknike” të negociatave.

Nën ndërmjetësimin e SHBA-së, Moska dhe Kievi zhvilluan tre raunde bisedimesh paqeje më herët gjatë këtij viti, përkatësisht më 23-24 janar, 4-5 shkurt dhe 17-18 shkurt. Dy raundet e para u mbajtën në Abu Dhabi ndërsa i treti u zhvillua në Gjenevë.

Që atëherë, negociatat janë pezulluar ndërsa Moska dhe Kievi ia kanë atribuar ndërprerjen përqendrimit të SHBA-së te Irani./ AA.