Groenlanda/ Danimarka: Bisedimet me SHBA-në mund të përfundojnë me një marrëveshje deri në fund të 2026
Sipas ministrit danez të Punëve të Jashtme, Lars Lokke Rasmussen, bisedimet në vazhdim mes Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-së mund të rezultojnë me një marrëveshje para fundit të vitit 2026.
Duke folur për të përditshmen daneze Politiken, Lokke tha se do të nevojiten edhe disa raunde të tjera bisedimesh përpara se të arrihet një marrëveshje përfundimtare, por shprehu besim në procesin negociues.
I pyetur nëse presidenti amerikan, Donald Trump, do ta mbështeste një marrëveshje përfundimtare, Lokke tha se diplomatët e përfshirë në bisedime janë të lidhur ngushtë me administratën amerikane.
“Këta janë njerëz shumë të afërt me administratën dhe unë duhet të supozoj se ata po veprojnë mbi bazën e një mandati që gjithashtu mund të realizohet”, tha ai.
Ai shtoi se anëtarët e lartë të administratës amerikane po informohen rregullisht për zhvillimet nga diplomatët e përfshirë në bisedime.
Forumi trepalësh u krijua pas një vizite në Washington në muajin janar nga ministri Lokke dhe ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, gjatë së cilës ata u takuan me zv/presidentin amerikan, JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.
Puna e grupit ka mbetur kryesisht larg vëmendjes publike, pavarësisht interesit ndërkombëtar të shkaktuar nga deklaratat e përsëritura të Trumpit për marrjen nën kontroll të Groenlandës nga SHBA-ja, një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës.
Këto deklarata tensionuan marrëdhëniet mes Washingtonit me Kopenhagën dhe Nuukun, duke nxitur krijimin e grupit të punës për të trajtuar çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit në Arktik./ AA.