‘Ekonomia në vdekje klinike’, Kedhi: Qeveria s’është e shqetësuar, është krijuesja e këtij modeli

Për ekspertin e ekonomisë, Nikola Kedhi të dhënat e fundit të raportuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, kanë nxjerrë në dritë një realitet alarmant për ekonominë e vendit.

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv nën moderimin e Edvin Parrucës, Kedhi tha se shifrat e publikuara tregojnë një rënie të lirë të sektorëve prodhues, duke e vendosur ekonominë shqiptare në atë që raportohet si "vdekje klinike".

Sipas tij, korrupsioni, monopolet e paprekshme dhe burokracia po asfiksojnë bizneset, duke goditur rëndë themelet e tregut, ndërssa shtoi se detajet statistikore janë një kambanë e vërtetë alarmi: 72% e rritjes ekonomike në letër vjen ekskluzivisht nga taksat neto dhe administrata publike, ndërkohë që sektorët thelbësorë prodhues kontribuojnë me një shifër minimale prej vetëm 1.1%.

Në mes të kësaj situate të rëndë, thekson ndër të tjera Kedhi, bie në sy mungesa totale e shqetësimit nga ana e qeverisë.

Për ekspertin, kjo nuk është çështje paaftësie apo neglizhence, por pasojë e një vizioni dhe modeli ekonomik të ngritur qëllimisht, pasi vendi po kthehet në një "republikë tregtare", ku ekonomia nuk bazohet te zhvillimi i prodhimit, por te fluksi i parave të pista dhe pastrimi i tyre përmes sektorit të ndërtimit.

Gjetjet ishin alarmante, si të revistës Monitor dhe të Dhomës Amerikane të Tregtisë, e cila e kishte bazuar studimin e përvitshëm në fakt tek bizneset që bëjnë pjesë në të. Që janë biznese të konsiderueshme, me kontribut të konsiderueshëm në vendin tonë. Problemet kryesore ishin korrupsioni, ishin monopolet, konkurrenca e pandershme, klima politike gjithashtu, në përgjithësi korrupsioni, burokracia në vend, dhe ishin disa gjetje për nivelin e ekonomisë që janë shumë shqetësuese, janë alarmante. Sepse konfirmon edhe një herë, është treguesi i fundit i asaj që ne kemi thënë gjithmonë, që këtu ekonomia prodhuese, ose segmentet prodhuese të ekonomisë janë praktikisht në vdekje klinike.

Ekonomia jonë sot nuk varet nga sektorët prodhues, por varet nga sektorët jo-prodhues, varet nga administrata publike. Në fakt 72% e rritjes, ajo rritje në letër, vjen nga taksat neto dhe nga administrata publike, ndërkohë vetëm 1.1% është rritur pjesa e sektorëve prodhues. Dhe aty janë të përjashtuara bujqësia dhe industria. Bujqësia ka në një rënie pa ndalim që nga tremujori i fundit i vitit 2020. Industria ka tre katër vite që është në rënie. Dhe kjo çfarë sjell? Sjell që ne të varemi nga importet, sjell që çmimet në Shqipëri të jenë më të larta, siç e vërteton dhe Eurostat-i, më të larta se mesatarja e çmimeve në vendet e Bashkimit Europian.

Vetëm për produktet më bazike, që nga djathi, vezët, buka e kështu me radhë, çmimet në Shqipëri janë 132% e çmimeve mesatare të Bashkimit Europian. Çmimet në tërësi kanë kaluar mesataren në Shqipëri, pikërisht sepse nuk ka treg të lirë, nuk ka konkurrencë, dhe për rrjedhojë fuqia blerëse ulet, pagat ulen, dhe qytetarët shqiptarë janë në një gjendje sot ku nuk përballojnë dot të mbyllin muajin. Siç e tregonte një anketë e para dy muajve, që më shumë se 50% e shqiptarëve nuk arrijnë dot të mbyllin muajin me shpenzimet. Tirana është e dyta në Europë për nivelin e shpenzimeve.

Konkluzioni dhe i konferencës së djeshme, po edhe i gjithë situatës është kjo, që këtu këto probleme janë sistemike, janë ngritur në sistem, nuk është se ka një sektor, një problematikë apo janë sporadike. Këtu është problem i themeleve të ekonomisë shqiptare, që është shumë shqetësuese, veçanërisht në pjesën prodhuese siç e thashë. Se një komb që nuk prodhon, me çfarë do mbahet? Me paratë e pista që kanalizohen në sektorin e ndërtimit? Si mund të mbahet një ekonomi në mënyrë të qëndrueshme në qoftë se rritja vjen vetëm nga paratë e pista që kanalizohen në ndërtim, se aty është kthimi më i thjeshtë, më i shpejtë, dhe nga administrata publike.

Pa diskutim qeveria nuk është e shqetësuar se është krijuesja e këtij modeli. Ata njerëz që janë në shesh për natë prej 23-24 ditësh, janë atje pikërisht sepse janë kundër këtij sistemi që është ngritur dhe çimentuar në këto vite. Ata nuk kërkojnë ndonjë gjë abstrakte, kërkojnë të paktën, në shumicën e thirrjeve, konsensusi që është aty në një farë mënyre, është që duan mundësi të barabarta, duan treg të lirë, duan çrrënjosjen e këtij modeli oligarkik të monopoleve, të oligopoleve që është krijuar që nuk na mundëson që të kemi një jetë normale në vendin tonë. Sepse si mund të kesh një jetë normale kur paga mesatare është 700 euro, ose 700 mijë lekë, dhe qiraja është 700 mijë lekë.