Rrufetë vrasin tufën e dhive, bariu shpëton nga shkarkesat elektrike

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën malore të Librazhdit, ku gjatë stuhisë pasditen e djeshme janë regjistruar dhjetëra goditje rrufesh, të cilat kanë goditur një tufë dhish në Spathar, në Njësinë Administrative Qendër, në vendin e njohur si “Arrës”.

Si pasojë e shkarkesës së fuqishme elektrike, të gjitha bagëtitë kanë ngordhur në vend, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik familjes së bariut.

Burime nga zona bëjnë me dije se në momentin e goditjes pranë tufës ndodhej edhe bariu S. Kurti, por për fat të mirë ai ka arritur t’i mbijetojë shkarkesës elektrike, megjithëse është gjetur disa orë më vonë nga të afërmit në gjendje të rënduar psikologjike dhe në shok. Pas ndihmës së marrë, mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme po kryhen procedurat për groposjen e tufës së bagëtive të ngordhura, me qëllim shmangien e problemeve sanitare dhe mbrojtjen e mjedisit. Autoritetet lokale dhe veterinarët janë angazhuar për ndjekjen e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fenomenet atmosferike.