A vjen shëndeti para pasurisë kur bëhet fjalë për mirëqenien?
Shëndeti është më i rëndësishëm se pasuria kur bëhet fjalë për mirëqenien personale, sugjeron një studim i ri.
Sipas studiuesve, njerëzit shqetësohen shumë më pak për të qenë më mirë se të tjerët kur në lojë hyn shëndeti. Ndërsa në çështje si të ardhurat, arsimi ose statusi shoqëror ata shpesh e krahasojnë veten me të tjerët, kjo prirje zbehet kur bëhet fjalë për shëndetin.
Për shembull, një rritje page mund të duket zhgënjyese nëse të tjerët marrin një rritje më të madhe, edhe pse ju përfitoni financiarisht. Por kur bëhet fjalë për shëndetin, njerëzit përqendrohen më shumë te rezultati më i mirë për veten sesa te krahasimi me të tjerët.
Studiues nga Universiteti i Londrës Lindore dhe ESSCA SchoolofManagement në Francë zhvilluan dy eksperimente me më shumë se 350 pjesëmarrës francezë. Atyre iu paraqitën situata hipotetike ku mund të zgjidhnin ose rezultatin më të mirë për veten, ose një alternativë që i bënte më mirë se të tjerët, edhe nëse kjo nënkuptonte humbjen e një pjese të përfitimit personal.
Në situatat që nuk lidhen me shëndetin, shumë pjesëmarrës preferuan të dilnin më mirë se të tjerët. Por kjo ndryshoi sapo u përfshi informacioni shëndetësor.
Vendimet që lidhen me jetëgjatësinë, kohën e pritjes për operacione dhe sigurimin shëndetësor i larguan njerëzit nga krahasimet sociale dhe i orientuan drejt zgjedhjeve që u sillnin përfitimin më të madh personal.
Bashkautor i studimit, Kirk Chang, tha se njerëzit zakonisht krahasohen me të tjerët në shumë fusha të jetës, por kjo ndryshon kur vendimet lidhen me shëndetin. Sipas tij, në këto raste njerëzit pyesin më pak nëse janë më mirë se të tjerët dhe më shumë se cili është rezultati më i mirë për ta.
Studimi tregoi gjithashtu se jo të gjitha llojet e informacionit shëndetësor kanë të njëjtin ndikim. Faktorët më ndikues në vendimmarrje rezultuan të ishin jetëgjatësia, koha e pritjes për operacione dhe sigurimi shëndetësor.
Studiuesit besojnë se këto gjetje mund t'i ndihmojnë politikëbërësit dhe institucionet shëndetësore të komunikojnë më efektivisht me publikun dhe të kuptojnë më mirë se cilat informacione ndikojnë më shumë në vendimet e njerëzve. / CBS 19News – Syri.net