Thirrje për marshim qytetar kundër TEC-it në Gjirin e Vlorës

Grupi qytetar “Shpëto Vlorën” ka bërë thirrje për një marshim proteste, me moton: “Drejt TEC-it, marsho, gardhin ta rrëzoj!”.

Aktiviteti është paralajmëruar të zhvillohet të shtunën, më 27 qershor 2026, me nisje në orën 07:30 nga zona e Universitetit.

Sipas organizatorëve, marshimi synon të sensibilizojë opinionin publik mbi ndikimin që, sipas tyre, ka TEC-i dhe projektet industriale në Gjirin e Vlorës.

Në materialet promovuese të shpërndara në rrjetet sociale, aktivistët shprehen se po mobilizohen për të “çliruar një pjesë të bukur të Vlorës” dhe për të mbrojtur mjedisin e zonës bregdetare.

Grupi “Shpëto Vlorën” ka qenë aktiv muajt e fundit në protesta dhe aksione kundër ndërhyrjeve, që sipas tyre konsiderohen të dëmshme për mjedisin dhe zonat e mbrojtura të Vlorës.