Tetë lojtarë të Gjermanisë ende pa minuta në Botëror, Nagelsmann pritet të bëjë rotacion ndaj Ekuadorit
Kombëtarja e Gjermanisë e ka siguruar tashmë vendin e parë në grup në Kupën e Botës 2026, por ndeshja e fundit e fazës së grupeve ndaj Ekuadorit mund të sjellë mundësi për lojtarët që ende nuk kanë debutuar në turne.
Pas fitoreve ndaj Curaçaos dhe Bregut të Fildishtë, trajneri Julian Nagelsmann po mendon për rotacionin e skuadrës, ndërsa tetë futbollistë gjermanë vazhdojnë të presin minutat e para në këtë Botëror.
Mes tyre janë portierët rezervë Oliver Baumann dhe Alexander Nübel, të cilët nuk kanë luajtur për shkak të formës së mirë dhe gjendjes fizike të Manuel Neuerit.
Pa minuta mbetet edhe mbrojtësi qendror Malik Thiaw, i cili është ngjitur në hierarkinë e mbrojtjes pas largimit të Nico Schlotterbeck nga turneu.
Në mesfushë, Pascal Groß, Angelo Stiller dhe Assan Ouedraogo ende nuk kanë marrë mundësinë për t’u paraqitur, ndërsa në repartin ofensiv Maximilian Beier dhe Nick Woltemade shpresojnë të aktivizohen, qoftë edhe si zëvendësues.
Deri tani, Nagelsmann ka përdorur 18 nga 26 lojtarët e grumbulluar në Botëror.
Historia tregon se jo të gjithë futbollistët arrijnë të luajnë në një Kupë Bote.
Në edicionin e vitit 2022, gjashtë lojtarë të Gjermanisë, mes tyre Marc-André ter Stegen dhe Karim Adeyemi, e mbyllën turneun pa luajtur asnjë minutë.
Për këtë arsye, sfida ndaj Ekuadorit mund të jetë shansi ideal për Nagelsmannin që t’u japë mundësi rezervave dhe të freskojë ekipin para fazës me eliminim direkt.