Skuadrat e eliminuara zyrtarisht nga Botërori 2026, zhgënjimi më i madh deri tani është Turqia

Faza e grupeve në Kupën e Botës 2026 po shkon drejt fundit dhe deri tani pesë kombëtare kanë humbur matematikisht çdo mundësi për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër.

Eliminimi që ka tërhequr më shumë vëmendje është ai i Turqisë. E konsideruar si një nga skuadrat që mund të surprizonte në turne, ajo zhgënjeu duke humbur ndaj Australisë dhe Paraguait, rezultate që vulosën largimin e saj të parakohshëm nga Botërori.

Jashtë garës ka mbetur edhe Haiti. Përfaqësuesja karaibiane u mposht fillimisht nga Skocia dhe më pas nga Brazili, duke mbetur pa asnjë shans për vazhdimin e aventurës në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Edhe Tunizia është eliminuar pas humbjeve ndaj Suedisë dhe Japonisë. Afrikanët nuk arritën të rivalizonin me dy kundërshtarët e grupit dhe e mbyllën herët rrugëtimin e tyre në turne.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Jordania, e cila u mund nga Austria dhe Algjeria, duke humbur çdo mundësi për të kaluar më tej.

Kombëtarja e pestë e eliminuar zyrtarisht është Panamaja. Ajo u mposht nga Gana dhe Kroacia në dy ndeshjet e para dhe nuk ka më shpresa matematikore për kualifikim.

Kështu, Turqia, Haiti, Tunizia, Jordania dhe Panamaja janë pesë skuadrat e para që i kanë dhënë lamtumirën Botërorit 2026 që në fazën e grupeve.