SYRI TV/ Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë, u jep porosi deputetëve të takojnë qytetarë
Ndërsa prej 24 ditësh qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e tij, duke e akuzuar për vjedhje dhe pazare personale në kurriz të vendit, Kryeministri Edi Rama është munduar ta cilësojë këtë revoltë si luftë digjitale. Burime bëjnë me dije se Rama, i shkëputur nga realiteti që jetojnë shqiptarët, u ka kërkuar drejtuesve të qarqeve të angazhohen së bashku me përfaqësuesit e tjerë të PS-së, për të mësuar cilat janë hallet dhe shqetësimet e qytetarëve.
Pas 13 vitesh në qeverisje, Edi Rama ka dëshmuar edhe njëherë shkëputjen nga realiteti dhe gjendja aktuale që jetojnë njerëzit, duke u kërkuar drejtuesve politikë të qarqeve që të angazhojnë deputetët në terren për të marrë vesh shqetësimet e shqiptarëve. I gjendur përballë protestave dhe revoltës së qytetarëve që e fajësojnë atë për problemet me të cilat përballet çdo ditë, Rama kërkoi që deputetët dhe përfaqësuesit e PS-së të dalin në terren dhe të pyesin për hallet dhe shqetësimet që kanë qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Burime bëjnë me dije se në mbledhjen me dyer të mbyllura që zhvilloi me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat, Rama është munduar t’i cilësojë protestat e qytetarëve, që prej 24 ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij, si një luftë digjitale, duke kërkuar angazhimin e tyre për të mundur algoritmin e protestës.
Pas përfundimit të mbledhjes, i gjendur në mes të stuhisë popullore, kryeministri i ka nxjerrë inatin edhe kryebashkiakëve socialistë gjatë një takimi me fokus infrastrukturën digjitale, duke bërë një paralajmërim për ata kryetarë që nuk qëndrojnë në bashkitë e tyre pranë qytetarëve.